Kuvendi i Republikës së Kosovës

Vazhdimi i seancës plenare

21.07.2021

Seanca e sotme e Kuvendit, e drejtuar nga nënkryetarja Saranda Bugujevci, ka vazhduar punimet me pikat e mbetura ditën e hënë.

Seanca filloi me shqyrtimin e Projektligjit nr. 08/L-019 për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), të cilën e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ai theksoi se miratimi i këtij ligji bën të mundur zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në qershor të këtij viti. Ky propozim sipas tij, synon që përmes kontributit për zhvillim të mbështesë zbatimin e programit për reformimin e sektorit të shëndetësisë. Tutje, ai shtoi se kjo do të mundësojë ngritjen e shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve shëndetësore.

Ndërsa deputetja Fatmire Kollçaku, në cilësinë e kryetares së Komisionit për Shëndetësi propozoi miratimin e këtij projektligji, duke e konsideruar atë të një rëndësie së madhe për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë në Kosovë.

Deputeti Bedri Hamza, në emër të GP të PDK-së, kërkoi më shumë transparencë sa i përket borxhit publik. Ai deklaroi se nuk do të ketë mbështetje nga PDK-ja, përderisa nuk aplikohet një praktikë e tillë.

Mbështetje këtij projektligji nuk i dha as AAK-ja. Kryetari i këtij grupi, Besnik Tahiri kërkoi që të diskutohet dhe të analizohet projektligji para se të sillet në seancë.

Pas diskutimeve të tjera të deputetëve, Kuvendi nuk e miratoi këtë projektligj, në mungesë të kuorumit për vendimmarrje.

Në vazhdim, u shqyrtua Projektligji nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”, e cila u prezantua dhe arsyetua nga Ministri i Financave dhe Tregtisë Hekuran Murati.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola bëri thirrje për votimin e kësaj marrëveshjeje. Pas diskutimeve as për këtë projektligj nuk pati numër të mjaftueshëm të deputetëve që votuan, për vendimmarrje.

Më pas u vazhdua me shqyrtimin e Projektligjit nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”, i prezantuar dhe arsyetuar nga ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, si dhe kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola. As për këtë projektligj nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, në të cilën Kuvendi me shumicë votash votoi për shkarkimin e tyre. Me 62 vota për, asnjë kundër dhe pa asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës shkarkoi bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave: kryesuesin i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Arsim Berisha dhe anëtarët Gëzim Qerimi, Shkumbin Hyseni dhe Elmi Ahmeti.

Kuvendi po ashtu zgjodhi tre (3) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Ivan Radulloviq nga komuniteti serb arriti votat e mjaftueshme (77) për të qenë anëtar i bordit të Radio Televizionit Publik. Ndërsa, Sead Mujovin, po ashtu nga komuniteti joshumicë, arriti të marr 72 vota për tu bërë pjesë e këtij bordi. Derisa në raundin e dytë  u votua edhe për anëtarin e tretë, në të cilin votat e mjaftueshme i mori Dragan Qirkoviq.

Gjatë seancës deputetët shqyrtuan edhe Raportin vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2020. Raporti pas shterimit të debatit nuk kishte kuorum për vendimmarrje.

Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, u vendos të ndërpriten punimet, për të vazhduar në një nga ditët në vazhdim.