Kuvendi i Republikës së Kosovës

Vazhdimi i seancës plenare

22.06.2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës është mbledhur sot për të trajtuar pikat e mbetura nga disa seanca të kaluara.

Fillimisht, në mungesë të deputetëve të radhët e komuniteteve pakicë, Kuvendi nuk arriti të votojë për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisjen lokale, ta shqyrtojë në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, si dhe të zgjedh një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb. 

Ndërkaq rezoluta nga debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend, nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve të Kuvendit.

Gjithashtu mbështetjen e Kuvendit nuk e morën as kandidatet për anëtare të Komisionit të Pavarur për Media, duke i hapur kështu rrugë rishpalljes së konkursit.

Kuvendi vazhdoi punimet me pikat e patrajtuara në seancën e datës 16 qershor.

Punimet e seancës i hapi kryetari Konjufca, i cili pas procedurave të zakonshme hyrëse, fjalën ua kaloi përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe më pas deputetëve, të cilat ngritën çështje të ndryshme dhe po ashtu shtruan pyetje për qeverinë.

Pas pyetjeve parlamentare, seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën në produktet e duhanit, i cili edhe u miratua.

Ndërkaq, për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për markat tregtare dhe Projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Në këtë situatë, kryetari Konjufca ndërpreu punimet për sot.

Pikat e mbetura të kësaj seance do të shqyrtohen të enjten, më 23 qershor 2022, pas përfundimit të seancës së re, të paraparë për te filluar orën 10:00.