Kuvendi i Republikës së Kosovës

Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit

23.11.2021
Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdoi sot punimet me pikat e mbetura nga dita e djeshme.
 
Me mungesë kuorumi, shqyrtimi i Raportit vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, si dhe Raporti i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, për vitin 2020, u hoqën nga rendi i ditës.
 
Në anën tjetër, deputetët njëzëri votuan për miratimin e Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT SH.a.a për vitin 2020.
 
Tutje, në emër të qeverisë në foltore doli ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci (e autorizuar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari), e cila prezantoi rekomandimin dhe arsyetimin për Propozim - vendimin e Qeverisë në lidhje me miratimin e rekomandimeve të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues ”KOSMONTE FOODS” SH.P.K.).
 
Pas një diskutimi, me mocion procedural të propozuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u vendos që kjo çështje të shtyhet për seancën e radhës.
 
Në vazhdën e punës, u shqyrtua edhe lista e kandidatëve të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
 
Për të paraqitur qëndrimin e qeverisë, fjalën e mori ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ndër tjera potencoi se kriteri kryesor për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit duhet të jetë integriteti i tyre.
 
Kuvendi me mungesë kuorumi nuk pati vendimmarrje për këtë çështje.
 
Për të paraqitur Propozim-vendimin në lidhje me anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës ishte ftuar ministrja Nagavci, e cila pasi arsyetoi propozimin me listën e kandidatëve përkatës, kërkoi miratimin e tij. Po ashtu, kryetari i Lomisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion, Ardian Gola, arsyetoi listën e kandidatëve të Këshillit Shtetëror të Shkencës, e cila u miratua nga ana e deputetëve.
 
U formua gjithashtu Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave.
 
Me procedurë të votimit të fshehtë, Bashkim Nurboja dhe Vlora Latifi Jashari u zgjodhën anëtarë jo ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, përderisa procedura për zgjedhjen e anëtarit të tretë, në mungesë kuorumi u shty për njërën nga seancat e ardhshme.