Kuvendi i Republikës së Kosovës

Deputetët Hoxha e Abazi morën pjesë në takimin rajonal të Grupeve Parlamentare të Gjelbërta

22.08.2024

Deputetë të Kuvendit të Kuvendit të Republikës së Kosovës morën pjesë në takimin rajonal të Grupeve Parlamentare të Gjelbërta në procesin e dekarbonizimit dhe qëndrushmërinë urbane në Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Sarajevë. 

Nën organizimin e Klubit të Gjelbër të Parlamentit të Bosnjës dhe Hercegovinës, më mbështetje të GIZ dhe UNDP në kuadër të Festivalit të Filmit të Sarajevës 2024, deputetët Eliza Hoxha dhe Haki Abazi morën pjesë në ngjarjen rajonale që u fokusua në rolin e Grupeve Parlamentare të Gjelbërta në Procesin e Dekarbonizimit në Ballkanin Perëndimor, ndikimin e tij në sektorin e energjisë elektrike dhe qëndrushmërinë urbane.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, ishin edhe panelistë në këtë ngjarje, ku Haki Abazi diskutoi në panelin lidhur me proceset e energjisë, dekarbonizimit, përdorimin e burimeve të energjisë së pastër dhe të rinovueshme, ndërsa, Eliza Hoxha në panelin ku u diskutua për ndërgjegjësimin publik për veprimet që mund të çojnë në zero ndotje, mbrojtjen e mjedisit, me një theks të veçantë në lëvizshmërinë urbane.

Ngjarja është pjesë e Fondit të Hapur Rajonal për Evropën Juglindore - Energjia, Transporti dhe Mbrojtja e Klimës (ORF-ETC), i mbështetur nga GIZ dhe BE, me qëllim zhvillimin e kapaciteteve të Grupeve Parlamentare të Gjelbërta në Ballkanin Perëndimor, ndërkaq, për Kosovë, implementues i këtij projekti është Shkolla Politike e Prishtinës (PIPS).