Më 15 mars 2023, filloi punimet sesioni i parë i takimit të dhjetë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës.
Në këtë takim të udhëhequr nga bashkëkryesuesit e këtij Komisioni, Romeo Franz dhe Mimoza Kusari-Lila, nga Kuvendi i Kosovës morën pjesë edhe anëtarët e këtij delegacioni, zëvendës-kryesuesi i këtij Komisioni, deputeti Elmi Reçica, deputetët Armend Muja, Fitore Pacolli-Dalipi, Jeta Statovci, Ariana Musliu-Shoshi, Floretë Zejnullahu, Rrezarta Krasniqi, Pal Lekaj dhe Bahrim Šabani.
I ftuar në këtë takim, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si dhe ambasadori i Kosovës në Konsullatën e Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni.
Në fjalën e saj hyrëse, bashkëkryesuesja Kusari-Lila theksoi se është e rëndësishme që ky Komision të vazhdojë me ritmin pozitiv të mbajtjes së takimeve dy herë në vit, duke potencuar se është legjislatura e parë që ka pasur këtë dinamikë e që ka rezultuar me miratimin e deklaratave me rekomandime të përbashkëta.
Sesioni i parë i këtij takimi filloi me shkëmbim pikëpamjesh mbi gjendjen e marrëdhënieve BE-Kosovë, ku në emër të Qeverisë së Kosovës diskutoi kryeministri Albin Kurti, pasuar nga fjalimet e shefit të Njësisë për Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë në Komisionin Evropian, Vassilis Maragos, këshilltarit të lartë për Ballkanin Perëndimor të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Clive Rumbold dhe Raportueses së Përhershme të Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola Von Cramon-Taubadel.
Në pjesën e dytë të këtij takimi u diskutua për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe progresin në reformat e integrimit në BE.
Për këtë temë, Komisionit iu adresuan eurodeputeti Lukas Mandl, deputetja Fitore Pacolli-Dalipi, deputetja Floretë Zejnullahu dhe eurodeputeti Thomas Waitz.
Pjesa e tretë dhe e katërt këtij takimi si fokus pati temën e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, të drejtat fundamentale dhe pozitën e minoriteteve dhe grave, ku deputetët Mimoza Kusari-Lila, Rrezarta Krasniqi, Bahrim Šabani, Jeta Statovci dhe Ariana Musliu-Shoshi shkëmbyen pikëpamjet e tyre lidhur me këto çështje. Gjatë sesionit, në diskutime morën pjesë edhe deputetët Armend Muja dhe Pal Lekaj.
Takimi i dhjetë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, BE – Kosovë do të vazhdojë punimet edhe sot, më 16 mars 2023, duke filluar nga ora 08:45.