Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim lamtumirës Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott 

12.02.2024

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott. 

Në takimin e ngrohtë e miqësor, Kryetari Konjufca e falënderoi Ambasadorin Abbott për bashkëpunimin e frytshëm dhe kontributin e tij të çmueshëm në ruajtjen dhe thellimin e marrëdhënieve shembullore mes dy vendeve tona mike dhe aleate. 

Kryetari i Kuvendit po ashtu shprehu mirënjohje dhe vlerësoi mbështetjen e gjithanshme, koherente dhe të palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha proceset e shtetndërtimit, integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. 

Me këtë rast, Ambasadori Abbott e falënderoi Kryetarin Konjufca për mikpritjen dhe ritheksoi vazhdimin e përkrahjes së shtetit britanik për Kosovën. 

Duke i cilësuar të veçanta raportet dypalëshe, Kryetari Konjufca dhe Ambasadori Abbott shprehën njëherësh gatishmërinë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.