Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi vazhdoi punimet e disa seancave

30.10.2024
Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në seancë plenare, për të trajtuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara. 
 
Në këtë seancë fillimisht u bë emërimi i shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, si në vijim: Artan Krasniqi, Fahri Sheqiri, Besarta Reçica, Esin Salla, Zanita Halimi, Arianit Buçinca dhe Sazlana Boskovic, me mandat trevjeçar, ndërsa tri pikat vijuese u bartën për një nga seancat e radhës.
 
Tutje Kuvendi miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, Projektligjin për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës, Projektligji për rrugët, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, si dhe atë për menaxhimin e resurseve ujore. Deputetët miratuan gjithashtu Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2024/2028, raportin me rekomandime për sponzorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, Propozim-Rezolutën për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022, si dhe raportin e Performancës për Ndërmarrjet Publike për vitin 2022.
 
Konform rekomandimit të komisionit funksional, Kuvendi nuk miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, ndërsa nuk pati kuorum për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, për Projektligjin për gjendjen civile, si dhe atë për provimin e maturës shtetërore. 
 
Me votë Kuvendi hodhi poshtë Projekt-Rezolutën për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit – DASH dhe projekt-rezolutën për tërheqjen e tri projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend (për shkak të skadimit të kohës). 
 
Gjatë kësaj seancë Kuvendi shqyrtoi raportin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare, të cilin në emër të Qeverisë e prezantoi zv/kryeimistri Bisnik Bislimi. 
 
Gjatë fjalës së tij ai tha se Republika e Kosovës ka shënuar progres në katër fushat, duke përmbushur kështu synimet dhe objektivat e përbashkëta drejt sigurimit të një jete më të mirë për qytetarët, duke përparuar në uljen e varfërisë, rritjen e përdorimit të burimeve të ripërtërishme, transformimin dixhital dhe përmirësimin e arsimit.
 
Nga Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm foli kryetarja e këtij Këshilli, deputetja Fatmire Mulhaxha Kollçaku. 
 
Për fund nuk arriti që të themelohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb, për arsye të mungesës së grupeve parlamentare, me përjashtim të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e të cilit për pozitën e nënkryetares së parë u propozua deputetja Adelina Grainca, kurse anëtarë, Valon Ramadani, Besim Muzaqi, Njazi Isaku dhe Fitim Haziri. Nga radhët e Grupit Multietnik në pozitën e zëvendëskryetares të dytë u propozua deputetja Fidan Jilta.
 
Gjatë punimeve të sotme Kuvendi nuk miratoi Projekt-Rezolutën nga debati parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari - Lila me Milan Radojiçiç, Projekt-Rezolutën nga debati parlamentar për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Republikës së Kosovës dhe as Projekt-Rezolutën nga debati parlamentar për skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës.