Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi vazhdoi punimet e seancës plenare 

24.05.2023

Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, vazhdoi punimet e seancës plenare të mbajtur me 23 mars 2023.

Në mungesë kuorumi, votimi i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor si dhe votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158, u zhvendosën për votim në ndonjërën nga seancat e radhës. 

Më pas, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave. Kandidatët dhe procedurat e votimit për zgjedhjen e anëtarëve i paraqiti deputeti Nijazi Isaku.
 
Pas formimit të komisionit vlerësues dhe votimit të fshehtë të deputetëve, Kuvendi për anëtare të KPM-së nga radhët e grave zgjodhi Luljeta Aliu Krasniqin, ndërsa nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave për përzgjedhjen e anëtarëve të tjerë të po këtij komisioni. Për përzgjedhjen e anëtarëve të tjerë, do të shpallet përsëri konkursi publik.

Tutje, deputetja Arbëresha Kryeziu paraqiti kandidatët e nominuar për anëtarët e Bordit për Ankesa të Mediave si dhe procedurat e tjera të përzgjedhjes së një anëtari të komisionit në fjalë. 

Pas formimit të komisionit, në mungesë kuorumi nuk pati vendimmarrje për këtë pikë.

Seanca ndërpreu punimet, për të vazhduar me pikat e tjera të rendit të ditës nesër, në orën 10:00.