Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, drejtuar nga kryetari Armend Muja mbajti sot mbledhjen e radhës.
Para anëtarëve të Komisionit raportoi ministri i Financave Hekuran Murati lidhur me borxhin publik. Ministri Murati tha se borxhi publik në vitin 2023 ka qenë 17.2 për qind e GDP-së, ndërsa, sipas tij përqindja e disbursimit është rreth 40 për qind, ndërsa vlera e kredive të ratifikuara është rreth 300 milionë euro.
Gjatë raportimit Murati tha po ashtu se norma mesatare e interesit sillet tek 2.4 për qind, përkundër faktit që ka pasur rritje rapide të normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane, në mënyrë që të adresohet problemi i inflacionit.
Sipas ministrit Murati aktualisht Kosova ka nivelin më të ulët të borxhit në shtetet evropiane.
Para anëtarëve të Komisionit përveç ministrit të Financave, Hekuran Murati, raportoi edhe drejtori i Doganës, Agron Llugaliu dhe ai i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, lidhur me realizimin e të hyrave për vitin 2023.
Anëtarët e Komisionit shtruan pyetje për ministrin Murati dhe drejtorin e Doganës Llugaliu, në veçanti për çështjen e valutës së dinarit, pas vendimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës që të ndalohet përdorimi i tij.
Llugaliu tha se ka pasur dy tentime për të futur dinarë në Kosovë por që kjo nuk është lejuar. Sipas tij rregullorja e re që është sjell nga BQK, ka rregulluar çështjen e bartjes së parasë për të gjithë operatorët. Sipas Llugaliut me rregulloren e re është specifikuar se asnjë lëvizje dhe nga bankat tjera nuk mund të bëhet pa prezantuar autorizimin.
Mbledhja vijoi me diskutime dhe pyetje të anëtarëve të Komisionit për përfaqësuesit e Doganës dhe ATK-së, ndërsa kryetari Muja vendosi që diskutimet të vazhdojnë në një nga mbledhjet e radhës.