Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

21.03.2023

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Hykmete Bajrami, kryetare, u shqyrtua raporti i auditimit të performancës “Projektet kapitale të operatorit të sistemit, transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës (2015-2021)’. 

Me këtë rast, u vë në pah fakti se bazuar në gjetjet e auditorit aktivitetet e prokurimit në disa raste nuk kanë qenë efektive, efikase dhe as ekonomike. 

Të gjeturat, rekomandimet dhe disa nga shqetësimet i paraqiti anëtari i Komisionit, në cilësinë e deputetit raportues, Halil Thaqi. Pasi u prezantuan në detaje rekomandimet e auditorit dhe të gjeturat, si dhe pasi u paraqitën një mori pyetjesh nga anëtarë të Komisionit, sqarime për to dhanë kryesuesi i Bordit të KOSST-it, Jeton Mehmeti dhe kryeshefi ekzekutiv, Evetar Zeqiri. Ata u fokusuan te zbatimi i rekomandimeve dhe adresimi i çështjeve, duke treguar se kanë bërë edhe planin e veprimit për zbatim të rekomandimeve. 

Pas shterimit të diskutimit, për këtë raport dhe për rekomandimet e Komisionit apo procedimin tutje të raportit, do të vendoset në mbledhjen e radhës. 

Në vijim, Komisioni diskutoi lidhur me çështjen e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Përkitazi me këtë institucion Komisioni u dakordua që të fillojë me procedurat për plotësim ndryshim të Ligjit  për Auditorin, duke u zotuar që gjatë javës së ardhshme do të fillojnë me procedurat e nënshkrimit.  

Komisioni po ashtu shqyrtoi dhe përkrahu propozim-rekomandimet e Komisionit për raportin e auditimit “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët” për vitin 2021", si dhe propozim-rekomandimet për raportin e auditimit të performancës të “Teknologjisë së informacionit, sistemi për menaxhimin e Pagave”. 

Raportet me rekomandimet do të procedohen në seancë. 
Komisioni shqyrtoi gjithashtu edhe çështjen e përfundimit të Kryesisë së Kuvendit për rregullsinë e procedimit për shqyrtim dhe miratim të rekomandimeve për KRM Pastrimi sh.a, për vitin 2021, duke përkrahur me shumicë votash shkresën e administratës së Komisionit.