Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga seanca plenare e Kuvendit

30.11.2023

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur sot nën kryesimin e  kryeparlamentarit Glauk Konjufca, filloi me deklarime jashtë rendit të ditës nga ana e deputetëve, të cilët ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh të qytetarëve. 

Në vijim, seanca vijoi punimet me shqyrtimin e  dytë të Projektligjit nr.08/L-238 për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, për të cilin në emër të Komisionit për  Ekonomi foli deputeti, Ferat Shala. Ai vlerësoi se procedimi i këtij projektligji në Komision është bërë në mënyrë jo korrekte. Ndërkaq bëri të ditur se ai nuk posedon raportin lidhur me projektligjin në fjalë. 

Ngjashëm u shpreh edhe përfaqësuesja e LDK-së në këtë Komision, Valentina Bunjaku- Rexhepi. 

Kritik ndaj këtij projektligji u shprehën edhe Abelard Tahiri kryetar i GP të PDK-së, si  dhe Arben Gashi kryetar i GP të LDK-së, të cilët deklaruan votën kundër. 

Pas kësaj vijoi debati lidhur me të, ndërkaq, në mungesë kuorumi ky projektligj nuk u hodh në votim. 

Këtu edhe përfundoi kjo  seancë, për vazhdimin e së cilës kryeparlamentari Konjufca tha se deputetët  do të njoftohen gjatë ditëve në vijim.