Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga seanca plenare e Kuvendit

04.04.2024

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, e mbajtur sot nën kryesimin e  kryeparlamentarit Glauk Konjufca, deputetët shqyrtuan disa nga pikat e rendit të ditës të parapara për sot.   

Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, ishte çështja për të cilën u diskutua në fillim të seancës.  

Arsyen për themelimin e këtij komisioni e paraqiti deputetja, Floretë Zejnullahu nga radhët e Grupit Parlamentar të PDK- së,  si iniciues i themelimit të komisionit. 

Pas kësaj, folën përfaqësuesit e grupeve parlamentare, ku u vunë re dallimet ndërmjet përfaqësuesëve të pozitës dhe atyre opozitarë. 

Lidhur me këtë foli edhe Arbërie Nagavci, ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). 

Ajo u shpreh në favor të këtij komisioni hetimor, por, tha ajo, komisioni duhet të hetojë edhe ministritë paraprake. 

Në vijim të paraqitjes së saj me këtë rast, ministrja Nagavci, vuri në spikamë të arriturat dhe përpjekjet e ministrisë  për jetësimin e reformave të nisura. 

Lidhur me këtë, ajo vuri theksin te nevoja e miratimit të ligjeve nga fusha e arsimit, dhe u bëri apel deputetëve që t’i miratojnë ato. 

Pas shterimit të debatit, kryeparlamentari Konjufca, e hodhi në votim themelimin e komisionit, i cili me shumicë votash (57 sosh) u përkrah nga deputetët. 

Kryetar i komisionit u vendos që të jetë deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj. 

Pas kësaj, në mungesë kuorumi, nuk u hodhën në votim një mori marrëveshjesh ndërkombëtare, ndërkaq, u shqyrtua dhe miratua Projekt Kodi doganor dhe akcizave, nr. 08/L-247, me amendamente.

Po ashtu, në lexim të dytë u shqyrtuan edhe këto projektligje: Projektligji nr. 08/L-211 për Verëra, Projektligji nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, të cilat, po ashtu, në mungesë kuorumi nuk u arrit që të miratohen. 

Projektligji nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë, siguroi votat e mjaftueshme për miratim në lexim të dytë, ndërkaq, nuk pati kuorum për miratim në lexim të parë të Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile, kuorum nuk kishte as për Projektligjin nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme, ndërkaq, u miratua në parim Projektligji nr.08/L-284 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave, Projektligji nr.08/L-285 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, si dhe Projektligji nr.08/L-291 për Gjykatën Administrative.