Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

18.03.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, kryesuar nga Zylfije Hundozi, kryetare, u diskutua lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në Konferencën BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 2 qershor në Sarajevë.

Para anëtarëve të komisionit qëndrimin e Qeverisë së Kosovës e ka prezantuar zv.kryeministri Hajredin Kuçi.

Kuçi theksoi se nga kjo konferencë pritet që të shprehet një vullnet më i madh për bashkëpunim rajonal. Kosova do ta tregojë një vullnet të tillë, por besoj se do të ketë një presion pozitiv të kryesuesve të Unionit Evropian dhe të shteteve të tjera, edhe mbi Beogradin, në mënyrë që të tregojë vullnet për bashkëpunim rajonal dhe për mosndërhyrje në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, në veçanti në komunat veriore, si: Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, theksoi zv.kryeministri Kuçi. Ai shtoi se gjatë këtij takimi pritet që të prezantohen të arriturat e vendit. Ndërsa, sqaroi se përfaqësues i vendit në këtë konferencë do të jetë ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni.

Ministri Hyseni do të flasë për të arrituat tona në fushën e Raportit të Progresit dhe do të shprehë vullnetin e tij, gatishmërinë , por edhe kërkesat që të marrim sa më shpejt udhëzuesin për liberalizimn e vizave dhe të jemi të përgjegjshëm në procesin e marrëveshjes tregtare me BE-në. Pritjet tona janë racioanle dhe besoj se do të ketë një orientim shumë më të qartë për Kosovën dhe rajonin, theksoi Kuçi.

Në vazhdim të kësaj mbledhje janë shqyrtuar këto projektligje: Projektligji për minierat dhe mineralet, Projektligji për mbrojtje nga dhuna në familje, Projekt-kodi i drejtësisë për të mitur, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ujitjen e tokave bujqësore, të gjitha këto me amendamentet e komisioneve funksionale. Me këtë rast u vlerësua se këto projektligje janë në përputhshmëri me legjislacionin e BE-së, ndaj mund të procedohen tutje.