Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

18.03.2015
Shqyrtimi i Raportit financiar të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit(ART), shqyrtimi i Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF) dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale(KPMM) për shfrytëzimin e të hyrave vetanake të KPMM-së, ishin temat që u diskutuan sot në mbledhjen e Komisioni për Buxhet dhe Financa të kryesuar nga Gani Koci, kryetar i komisionit. Po ashtu, komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për Miniera dhe Minerale dhe kërkesën buxhetore të Kuvendit të Kosovës lidhur me qarkoren e parë buxhetore 2010/01.

Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i bordit të ART-së, Ekrem Hoxha, i cili ofroi një pasqyrë të punës së deritashme, sfidat dhe të arriturat e ART-së.

Në lidhje me raportin e ART-së, anëtarët e komisionit ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh. Me theks të veçantë ata u interesuan për operatorët ilegal të telefonisë mobile në Kosovë.

Përkitazi me këtë kryetari i ART-së theksoi:  Në Kosovë kanë qenë duke operuar 26 qendra të telefonisë ilegale, mirëpo me një aksion të ndërmarrë nga ART-ja më 23 dhe 24 prill të këtij viti, nga ato kanë mbetur 12, ndërsa pritet që edhe operatorëve të tjerë ilegal t™u ndalohet veprimtaria që janë duke ushtruar, theksoi Hoxha. Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan raportin e ART-së, dhe rekomanduan që të diskutohet edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në vijim të mbledhjes, komisioni përkrahu nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF) dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për shfrytëzimin e të hyrave vetanake të KPMM-së. Me këtë rast komisioni i rekomandoi MEF-it, që memorandumi i nënshkruar të implementohet sa më parë.

Duke kërkuar sqarime shtesë nga Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës në lidhje me Projektligjin për Miniera dhe Minerale, komisioni për Buxhet dhe Financa e përkrahu këtë Projektligj.

Ndërkaq, arsyeshmërinë e kërkesës buxhetore të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me qarkoren e parë buxhetore 2010/11, e paraqiti Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi. Në lidhje me këtë sekretari arsyetoi se: kërkesat buxhetore të prezantuara në qarkoren e parë janë të mbështetura në planin e veprimit, dhe atë strategjik të zhvillimit të Kuvendit të Kosovës. Këto dokumente janë miratuar në seancë plenare dhe të njëjtat prodhojnë efekte juridike që duhet t™i zbatojmë. Pas diskutimeve, komisioni vendosi që në lidhje me këto kërkesa të zhvillojë edhe një dëgjim në mbledhjen e parë të ardhshme në komision.