Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi...

18.03.2015
Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Myzejene Selmani, kryetare, shqyrtoi Propozim “ Strategjinë e Qeverisë për Privatizimin e Post-Telekomunikacionit të Kosovës (PTK).

Në mbledhje, ishte i pranishëm edhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala.

Ministri Shala, fillimisht dha një pasqyrë rreth punës që ka bërë Komisioni Ndërministror, të cilin e udhëheq ai dhe i cili ka hartuar strategjinë për privatizimin e PTK-së.

Duke e konsideruar shumë të rëndësishëm debatin e kaluar i cili solli në tavolinë çështje me shumë interes që u diskutuan edhe sot ministri Shala iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga anëtarët e Komisionit nga debati i kaluar.

Ne kemi ekzaminuar të gjitha segmentet e PTK-së, përfshirë aspektin ligjor, financiar, komercial dhe kornizat rregullative, tha ministri Shala. Në vijim ai tha se, dilema e ngritur në lidhje me bazën ligjore për privatizim nuk është reale, sepse baza ligjore është e mjaftueshme, tha ministri Shala. Po ashtu, Shala i siguroi anëtarët e Komisionit se, privatizimi i PTK-së ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit. Duke iu referuar investimeve që do të ndodhin pas privatizimit të PTK-së, Shala tha se do të bëhet specifikimi i projekteve kapitale. Me këtë rast ai foli për investimet që do të ndodhin në Autorrugën Vërmic -Merdare nga ky privatizim. Në lidhje me këtë ai shtoi se kjo autostradë do të ndryshoj gjendjen gjeoekonomike duke ndikuar prej 1.5 deri më 2.5 në rritje të GJDP-së. Pas një debati të gjerë, anëtarët e Komisionit vendosën që në mbledhjen e radhës të marrin vendim për strategjinë.