Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi i Kosovës miratoi Deklaratën e presidentit Rugova

18.03.2015
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot me shumicë votash Deklaratën presidenciale të kryetarit Rugova lidhur me përgatitjet për bisedime për statusin përfundimtar të Kosovës.

Fillimisht, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, u është drejtuar deputetëve me një fjalë rasti për rëndësinë e miratimit të Deklaratës presidenciale të kryetarit Rugova, përfshirë edhe grupin negociator të emëruar nga ai dhe ka kërkuar unanimitet të të gjitha forcave politike, të përfaqësuara në Kuvend, që ta miratojnë atë.

Pasi e kanë marrë fjalën shefat grupeve parlamentare, kryeparlamentari Daci ka hedhur në votim Deklaratën, e cila është miratuar me shumicë votash të deputetëve, pa asnjë votë kundër.

Seanca e Kuvendit vazhdon nesër, në orën 10, për të shqyrtuar për herë të dytë katër projektligje dhe për herë të parë gjashtë projektligje të tjera, si dhe Strategjinë për energjinë në Kosovë për periudhën 2005-2015 dhe Raportin e Buxhetit për gjashtëmujorin e parë të viti 2005.