Komisioni parlamentar për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrime euroatlantike, në mbledhjen e drejtuar nga Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, ka dëgjuar sot dëshminë ministrave të Qeverisë së Kosovës, Haziri dhe Haraçia lidhur me përmbajtjen bisedave me qeveritarë serbë në takimet e zhvilluara në Vjenë dhe Beograd.
Dëshmia - veprim demokratik dhe kushtetues
Këtë praktikë që ka filluar ta jetësojë Komisioni, Hamiti i ka vlerësuar veprim shumë demokratik dhe krejtësisht kushtetues, me të cilin duhet të mësohen përfaqësuesit institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe Qeverinë dhe ministrat e saj.
Takimet janë miratuar nga Qeveria
Ministrat Haziri dhe Haraçia kanë prezantuar gjithë rrugën e realizimit të këtyre takimeve, të cilat është thënë se janë miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe konform programit të saj të miratuar nga legjislativi i vendit.
Ata kanë pohuar se fillimisht qeveritarët serbë kishin tentuar që të përfaqësoheshin në nivel të pabarabart ( më të ulët) me palën kosovare, por se Qeveria e Kosovës nuk ishte pajtuar.
Takimi në Vjenë me ndërmjetësim të Aides
Ministri i Pushtetit Lokal, Lufti Haziri, ka vënë në pah se me ministrin serb, Lonçar, është takuar me ndërmjetësim të zotri Aides dhe në një vend të tretë ( Vjenë), kurse pos fjalës së tij se çka ka bërë Kosova në planin e decentralizimit, ka biseduar edhe për kthimin e librave kadastral të Kosovës, të grabitur nga forcat serbe në përfundim të luftës dhe për Protokollin e kthimit të të zhvendosurve.
Haraçia: për kthimin e vlerave kulturore
Ministri i për Kulturë dhe Sport, Astrit Haraçia, ndërkaq, është shprehur se me homologun serb, Kojadinoviq, ka biseduar për kthimin e materialeve kulturore, artefakteve dhe objekteve arkeologjike, si dhe për rindërtimin e kishave ortodokse serbe.
Ai ka thënë se është marrë vesh që deri më tetë dhjetor të caktohen koordinatorët, të cilët do të përcaktojnë dinamikën e kthimit të vlerave kulturore.
Biseda për çështje të brendshme të Kosovës
Anëtarët e Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrime euroatlantike u kanë bërë pyetje të shumta ministrave për ta takimet me homologët serbë dhe u kanë bërë vërejtje për ngutinë e realizimit të takimeve dhe për tema, të cilat janë vlerësuar çështje e brendshme e Kosovës.
Regjimin serb e bëjmë palë negociatore
Madje është thënë se kësisoj i kemi mundësuar regjimit serb të jetë palë negociatore për çështjen e decentralizimit, në vend se të ishte vetëm ndihmues brenda OSBE-së për realizimin e procesit.
Të strukturoret platforma
Ishte vlerësim unanim i komisionit se para fillimit të çfarëdo dialogu me Beogradin nevojitet të strukturoret platforma e cila duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës.