Kuvendi i Republikës së Kosovës

Grupi i Grave Deputete vizitoi Klinikën Gjinekologjike Obstetrike dhe Klinikën Onkologjike

18.03.2015

Grupi i Grave Deputete, kryesuar nga Blerta Deliu - Kodra vizitoi,sot, Klinikën Gjinekologjike Obstetrike, ku u prit nga drejtoresha Myrvete Paqarada,kryetari i Gjinekologëve dhe Obstetërve, dr Shefqet Lulaj, si dhe stafi i kësaj klinike.
Me këtë rast, kryetarja e GGD-ës, znj. Blerta Deliu -Kodra tha se duke pasur parasysh rëndësinë që ka kjo klinikë për gruan dhe familjen, kjo vizitë bëhet për t' u njohur me gjendjen në këtë klinikë, si dhe me të gjitha çështjet që lidhen me mbarëvajtjen dhe funksionimin e saj.

Ndërsa, dr. Myrvete Paqarada, duke u falënderuar për vizitën, tha: "Në klinikën tonë bëhen më se 12000 lindje në vit. Falë punës së madhe që bëjnë mjekët dhe i gjithë stafi i kësaj klinike, megjithëse ballafaqohemi me shumë vështirësi,brenda dy vjetësh nuk ka ndodhur asnjë vdekje e lehonave".
Lidhur me gjendjen në Gjinekologji , foli edhe dr Shefqet Lulaj, i cili theksoi mungesën e buxhetit, qoftë edhe për gjëra materiale bazike e mos të flasim për pajime, si: ultra tingull etj. Ai theksoi edhe problemin e specialisteve, të cilët nuk paguhen, pastaj politikat joadekuate për shpërndarjen e kuadrit mjekësor, çështjen e sigurimeve shëndetësore etj.

Deputetja Time Kadriaj theksoi nevojën e bashkëpunimit me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, me qëllim të trajtimit dhe dhënies së përkrahjes nga ky komision. Lidhur me gjendjen në këtë Klinikë dhe nevojën për t' u përkrahur nga institucionet përkatëse folën edhe deputetet Besa Baftiu, Selvije Halimi, Maxhide Mjeku -Topalli, Teuta Haxhiu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Safete Hadërgjonaj.

Deputetet gjithashtu i bënë një vizitë edhe Klinikës Onkologjike, ku u pritën nga drejtori dr Ekrem Hyseni, i cili tha se kjo klinikë është e pajisur me aparaturë mjaft moderne, ndërsa furnizimi me medikamente është shumë i mirë. Po kështu, edhe personeli është shumë i përgatitur për trajtimin e pacientëve.
Deputetet u interesuan edhe për furnizimin me citostatik etj. për të cilat z. Hyseni tha se gjithçka është në rregull.