Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

18.03.2015

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Nexhat Daci, kryetari Kuvendit, ka shqyrtuar sot përgatitjet për Seancën Plenare, e cila ishte paraparë të mbahej gjatë javës së ardhshme, konform qëndrimit të seancës së shkuar, në të cilën do të miratohej Rezoluta për konfirmimin e vullnetit për pavarësinë e Kosovës.

Në mbledhje është thënë se kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Kryesisë nuk u është dorëzuar dokumenti i harmonizuar i Rezolutës.

Nuk është harmonizuar teksti i Rezolutës

Megjithëse qëndrimi unanim i deputetëve në seancën e fundit ishte që Rezoluta të jetë produkt i konsultimeve të grupeve parlamentare dhe i Komisionit parlamentar për çështje juridike, legjislacion dhe Kornizë Kushtuese dhe të atij për Bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrime euroatlantike, nga diskutimet e anëtarëve të Kryesisë doli të ketë më shumë se një version të tekstit të Rezolutës.

Nuk është e sigurt se do të mbahet seanca

Duke pasur parasysh se procedura kërkon që Kryesia duhet ta ketë dokumentin pesë ditë para seancës, rezulton se nuk është e sigurt që javën e ardhshme do të mbahet seanca e posaçme për miratimin e Rezolutës.

Kryesia në gjendje gatishmërie

Kryesia, ndërkaq, ka marrë obligimin që të mblidhet në momentin kur të jetë gati dokumenti i harmonizuar dhe ta caktojë seancën për miratimin e Rezolutës.