Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal

26.04.2024

Sot Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Valon Ramadani, kryetar, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Duke specifikuar ndjeshmërinë e këtij projektligji, kryetari Ramadani përmendi se për këtë projektligj janë realizuar diskutime në shtatë qendra të Kosovës, me qytetarë dhe grupe të ndryshme të interesit, në të cilat janë dhënë rekomandime dhe kritika efektive.

Në këtë takim, para anëtarëve të komisionit, për projektligjin u adresua edhe ekspertja e Këshillit të Evropës, Deidre Kevin, që ishte e përfshirë në hartimin e projektligjit.

Kevin, në formë virtuale, ndau komentet dhe ekspertizën e saj në hartimin e ligjeve që lidhen me mediat në shtetet e tjera të rajonit, duke iu referuar standardeve të Bashkimit Evropian. Ajo po ashtu përmendi standardet e BE-së që ka zbatuar edhe Kosova gjatë hartimit të Projekligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave si dhe rekomandimet që si Zyrë e Bashkimit Evropian kanë dhënë.  

Rreth projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media edhe anëtarët e komisionit shfaqën qëndrimet e tyre, duke potencuar se projektligji është hartuar në mënyrë që të përfshijë rregullimin e fushave që bien sipër tij, gjithnjë në përafrim me direktivat e BE-së.

Tutje, anëtarët e komisionit përveç shqyrtimit të komenteve nga Zyra e BE-së në Kosovë, shqyrtuan edhe komentet nga OSBE, KPM, Forumi për Integritet të Informacionit, BIRN, nga Drejtoria për Shërbime Juridike e Kuvendit të Kosovës si dhe komentet nga mediat lokale.

Gjatë shqyrtimit rekomandimeve të palëve të përfshira në diskutim, në këtë mbledhje ndanë qëndrimet e tyre rreth amandamenteve të propozuara, Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, përfaqësuesja nga Zyra Ligjore e Kuvendit shoqëruar nga komentet e përfaqësueses së Zyrës së BE-së dhe sugjerimet e anëtarëve të komisionit.

Me shumicë votash, disa nga rekomandimet e propozuara u miratuan. Ndërsa, për të shqyrtuar tutje amandamentet e tjera të propozuara, komisioni do të vazhdojë punën në ndonjërën nga mbledhjet e radhës, siç theksoi kryetari Ramadani.