Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

22.10.2020

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, drejtuar nga kryetari Bedri Hamza, u shqyrtua raporti vjetor i Auditimit, për vitin 2019, me ç‘rast raportuan para Komisionit ministrja e Financave Hykmete Bajrami, si dhe Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani. 

Para fillimit të shqyrtimit të këtij raporti ministrja Hykmete Bajrami dha sqarime lidhur me vjedhjen e dy milionë eurove në këtë ministri. Me këtë rast, ajo tha se e gjithë kjo ka ndodhur përmes falsifikimit, duke shtuar se tashmë ekzistojnë të gjitha gjurmët për këtë krim ekonomik dhe kibernetik. 

Lidhur me transaksionin, ajo sqaroi se nuk është kërkuar nënshkrimi saj dhe as i drejtorit të Thesarit dhe përsëriti se kjo ka ndodhur përmes falsifikimit. Ndërkaq, sqaroi se kanë njoftuar organet e drejtësisë përfshirë policinë, prokurorinë, njësinë për inteligjencën financiare, AKI-në dhe departamentin për krime kibernetike.

Në vijim, ajo foli lidhur me raportin, duke sqaruar se raporti është me opinion të pamodifikuar, me theksim të çështjes, duke siguruar Komisionin se do të angazhohet maksimalisht për zbatim të rekomandimeve, ndërsa në vijim foli edhe lidhur me planin e Veprimit për zbatim të rekomandimeve. 

Pas saj, sqarime të detajuara dha Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, duke u përgjigjur po ashtu në çështje të shumta që u ngritën nga anëtarë të Komisionit. 

Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të Komisionit, raporti u përkrah dhe procedohet në seancë plenare me disa rekomandime.