Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takoi Komisionin e Senatit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje nga Republika e Çekisë

23.04.2024

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, udhëhequr nga kryetarja Arbëreshë  Kryeziu – Hyseni,  pritën sot në takim anëtarët e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje nga Republika e Çekisë.
 
Kryetarja e Komisionit, Kryezu – Hyseni, pasi e falënderoi delegacionin nga Çekia për vizitën, po ashtu, i falënderoi ata dhe shtetin çek për mbështetjen e vazhdueshme që kanë ofruar ndaj Kosovës, në të gjitha fazat e procesit të saj shtetndërtues.
  
Delegacionit çek mirëseardhje dhe falënderim i shprehën edhe anëtarët e tjerë të komisionit, të cilët u shprehën të bindur se  Çekia do të vijojë të mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen.  

Në vijim të takimit, u diskutua për një gamë të gjerë çështjesh, me qëllim të një koordinimi më të mirë ndërmjet të dyja vendeve, me theks të veçantë bashkëpunimi ndërparlamentar, si dhe përkrahja e Kosovës në forumet ndërkombëtare.
 
U bisedua edhe për rrezikun që paraqet për Evropën dhe më gjerë agresioni rus ndaj Ukrainës, andaj, lidhur me këtë u vu në pah nevoja e një politike unike në mbrojtje të demokracisë. 

Në emër të delegacionit çek, foli Pavel Fischer, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje të Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori i Çekisë në Republikën e Kosovës. 

Me këtë  rast, ai vuri në spikamë miqësinë dhe bashkëpunimin  ndërmjet të dyja vendeve. 

Fischer, gjatë diskutimit të tij me këtë rast, e falënderoi Kosovën, e cila, nënvizoi ai, ndër të parat është rreshtuar përkrah shteteve të Evropës dhe të NATO-s, në mbrojtje të lirisë dhe vlerave perëndimore. 

Ai bëri thirrje që kjo politikë dhe bashkërendim të vijojë edhe në të ardhmen, ndërsa, u shpreh i bindur se Çekia do të jetë mbështetëse e Kosovës në të gjitha rastet ku ajo është pjesëmarrëse.