Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport 

30.04.2024

Nën udhëheqjen e kryetari të Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, u mbajt mbledhja e radhës, në të cilën u shqyrtua raporti vjetor i punës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) për vitin 2022.

Kryetarja e KKTK-së Zanita Halimi, para anëtarëve të Komisionit prezantoi raportin e punës për vitin 2022 dhe aktivitetet e zhvilluara, të cilat sipas saj, janë realizuar në kuadër të Planit të performancës. Ajo shtoi se KKTKA-ja ka tri objektiva kryesore në kuadër të këtij plani, siç janë: fuqizimi i mbrojtjes dhe gjendjes së trashëgimisë kulturore, fuqizimi i Këshillit për Trashëgimi Kulturore si dhe promovimi i trashëgimisë kulturore të Kosovës. Halimi theksoi se në kuadër të planit të punës për vitin 2022 të KKTK-së, është bërë vlerësimi i propozimeve dhe dokumentacionit të aseteve për shpallje të tyre në mbrojtje të përhershme. 

Përkitazi me këtë ajo tha se krahas vlerësimit janë realizuar edh vizita në terren, përkatësisht me qendrat rajonale të trashëgimisë kulturore të Prishtinës, Gjilanit, Prizrenit, Gjakovës dhe Mitrovicës. Po ashtu ajo vuri në dukje edhe krijimin e hapësirave përmes qasjes institucionale të paanshme dhe profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore, duke respektuar, siç tha ajo, të gjitha standardet vendore ndërkombëtare, si dhe duke forcuar kapacitetet e burimeve njerëzore.

Tutje ajo foli edhe për bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare, përkatësisht OSBE-në, lidhur me procesin e zbatimit të planit të menaxhimit për qendrën historike të Prizrenit si dhe atë të planit të menaxhimit për Hamamin e madh të Prishtinës. Ndërsa, si objektiv e KKTK-së për vitin e ardhshëm, sipas  Halimit do të jetë hartimi i strategjisë për zhvillimin institucional të KKTK-së.

Anëtarët e Komisionit shtruan pyetje dhe diskutuan gjatë lidhur me fushëveprimtarinë e KKTK-së, ndërsa përfaqësuesit e këtij këshilli u përgjigjen në pyetje, duke dhënë sqarime shtesë për të gjitha çështjet e ngritura. 

Në vazhdim, komisioni formoi grupin punues për Projektligjin për profesionet e rregulluara, i cili do të kryesohet nga deputetja Vlora Dumoshi, me anëtarët, Ardian Gola, Enis Kervan, Arjeta Fejza, Arjeta Rexhepi dhe Albena Reshitaj.
Ndërkaq, grupin punues për Projektligjin për arsim profesional do ta kryesojë deputeti Ardian Gola, me anëtarët, Jahja Koka, Albena Reshitaj, Arjeta Fejza, Arjeta Rexhepi dhe Vlora Dumoshi.