Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike 

17.04.2024

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, filloi më një minutë heshtje në nderim të viktimave të dhunës në familje, ndërkaq më pas vijoi me shqyrtimin e raportit të auditimit të Performances: “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”;

U theksua se ministri i Bujqësisë nuk do të jetë prezent në këtë takim për shkak të disa agjendave tjera, ndërkaq sqarimet e nevojshme për këtë i dha drejtoresha e Agjencisë së Punësimit, Jehona Rexha, si dhe përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit. 

Fillimisht, në cilësinë e deputetes raportuese këtë raport e prezantoi anëtarja e Komisionit, Albana Bytyqi. Ajo duke paraqitur të dhëna të detajuara nga auditimi tha se si e gjetur është evidentuar edhe fakti se ende nuk është arritur rezultat i kënaqshëm me pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, me theks të veçantë në zonat rurale. Sipas Bytyqit, kriteret e përzgjedhjes nuk sigurojnë barazi në përzgjedhje.  

Gjatë këtij takimi kritika pati edhe rreth kushtëzimit të pronësisë, duke u vënë në pah fakti se grave nuk iu është ofruar procedurë më e lehtë për tu kyçur në këtë çështje.