Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Intervistë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli me Ilva Taren, në Oranews- Tiranë

Intervista e plotë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli me Ilva Taren, në Oranews, më 22.5.2015.

Tare: Si shkoi rruga?

Veseli: Shumë mirë.

Tare: Dhe mbledhja sot për Gjykatën Speciale?

Veseli: Sot kemi pasur një mbledhje të Kryesisë së parlamentit dhe kryetarët e grupeve parlamentare në të cilën kemi vendosur që ditën e premte do të kemi dhe shqyrtimin e amendamenteve të Gjykatës Kushtetuese për ndryshimin të Kushtetutës për krijimin e dhomave të specializuara, që duhet të ketë dhe aprovimin e Parlamentit tonë, 2/3 e votave, dmth një shumicë.

Tare: Ka shanse të miratohet, e keni shumicën?

Veseli: Jemi në proçesin e një vendimarrje politike. Është një sfidë e veçantë për institucionet e Kosovës, për qytetarët tanë veçanërisht për vetë faktin se do të kemi ndryshime kushtetuese, në të njëjtën kohë do të kemi një proçes i cili do ti hapë rrugën një proçesi, i cili do të jetë gjyqësor për disa nga pretendimet që kanë lidhje me një raport të Dik Martit.

Tare: Zoti. Veseli cili është gjykimi juaj personal? Jo vetëm si Kryetar i parlamentit, por edhe si një njeri i luftës, një nga njerëzit që e kanë njohur mirë, luftuar në të dhe ndoshta keni më shumë informacion se kushdo tjetër sa i takon UÇK-së. Gjykata Speciale i bën nder apo jo?

Veseli: Më lejoni të theksoj faktin që është shumë me rëndësi për të gjithë ne. Pretendimet e Dik Martit që kanë dalë nga një rezolutë e Këshillit të Europës vërtet janë duke u shndërruar pengesë për vetë të ardhmen e shtetit tonë, në të njëjtën kohë edhe për prespektivën ekonomike dhe sociale të qytetarëve tanë në Republikën e Kosovës. Ne si institucione kemi obligime të ndërmarrim hapa në mënyrë që këto pretendime, jo vetëm pretendime të tilla, por çdo gjë që pengon të ardhmen e shtetit tonë dhe prespektivën ekonomike ti mënjanojmë në mënyrë që ti hapim prespektivë vetëvetes dhe shtetit tonë në integrimet verio-atlantike. Duhet pasur parasysh që pretendimet janë të rënda, atakojnë drejtpërdrejt vlerën më fondamentale të popullit tonë që është UÇK. Por ajo që është me rëndësi është të ecim përpara në rrugën e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë me SHBA dhe vendet e BE në mënyrë që ti hapim prespektivë integrimeve të Kosovës, ti largojmë këto mjegullime të cilat janë ndaj luftës sonë çlirimtare dhe në të njëjtën kohë po kanë ndikim edhe në rrethanat e zhvillimit të shtetit tonë në momentin aktual. Më lejoni të theksoj një element të veçantë, krenaria më e madhe e kombit tonë edhe historike është UÇK. Të gjithë ata djem dhe vajza që kanë qenë të rreshtuar në UÇK besoj është momenti më i veçantë dhe më sublim i jetës së tyre, të njëjtën përgjegjësi dhe ndjenjë e mbaj dhe unë. Jemi krenarë për luftën tonë dhe do të dalim faqebardhë për arsye se kemi luftuar për të drejtën e popullit tonë, lirinë e vendit dhe në të njëjtën kohë në këtë kauzë kemi pasur mbështetjen edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është arsyeja që ne duhet të ecim prapë në këtë rrugëtim, bashkarisht me bashkësinë ndërkombëtare.

Tare: Ajo që thoni ju është e vërtetë, që akuzat e Dik Martin janë të rënda. Po a ka ndodnjë të vërtetë në atë, është bërë ndonjë gabim nga UÇK-ja gjatë luftës?

Veseli: Ne po flasim për pretendime që kërkojnë të shndërrohen në akuza. Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, luftëtarët e lirisë kanë vepruar në rrethana shumë të rënda të cilat i minimizojnë momentet e gabimeve siç janë pretendimet e Dik Martin, pretendime absurde për trafikimin e organeve apo edhe akuza edhe më të rënda të përmasave të gjera. Sido që të jetë ne do të ballafaqohemi me këtë sfidë, do dalim faqebardhë, Kosova do të fitojë, UÇK është pjesë e historisë sonë, është vlerë dhe lavdi e jona.

Tare: Ju do të ballafaqoheni, por cila do të jetë kostoja e këtij ballafaqimi? A mund të ketë krerë të lartë të politikës së sotme apo edhe ish-drejtues të lartë të UÇK-së së djeshme të akuzuar, të vendosur në bankën e akuzës?

Veseli: E rëndësishme në radhë të parë është që në këtë sfidë të kemi konsensusin nacional, të jemi bashkarisht. Të mos lejojmë që kjo sfidë të na ndajë mes veti. Kjo është më kryesore. E rëndësishme në këtë sfidë është që të ruajmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare që është shumë domethënës në vetë lirinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë e rëndësishme është që në mënyrë dinjitoze të shkojmë në këtë proces për të dëshmuar lirinë tonë, të drejtën tonë dhe gjithsesi për të dëshmuar që në luftën e UÇK nuk ka ndodhur trafikim organesh, nuk kanë ndodhur dëmtime të civilëve që do të mund të na bënin ne të mos e ndienim veten rehat, edhe shpirtërisht.

Tare: Gjykata Speciale megjithatë është një kërkesë e ndërkombëtarëve, sesa një dëshirë e brendshme e juaja le të themi në Kosovë.

Veseli: Le të themi kështu.Që nga fillimi i procesit liridashës tek ne kemi pasur dy tabore, një tabor që ka mirëkuptuar liridashjen e popullit tonë dhe një tabor që ka qenë shumë kundër dhe shpesh herë edhe në mënyrë absurde kundër lirisë sonë. Kemi një situatë që ne UÇK, populli i Kosovës por dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë akuzuar se i kanë ndihmuar një kauze që ka qenë e padrejtë, po flas për akuza që janë shumë të rënda si trafikimi i organeve. Do lëvizim në këtë proces, do ta tejkalojmë këtë sfidë faqebardhë dhe do dalim me sukses për ti dëshmuar gjithë botës se UÇK nuk ka kryer asnjë krim me të cilin mund të turpërohet.

Tare: Do t'ju pyesja pak lidhur me ngjarjet e Kumanovës, ngjarje gjithashtu të rënda. Sot janë transportuar pranë familjarëve trupat e nëntë kosovarëve të vrarë në Kumanovë. Sa informacion kishit ju edhe si kryetar Kuvendi, por edhe si njeri që ka informacion sa i përket luftëtarëve të mundshëm që mund të kenë qenë aty prezent, apo ish-luftëtarëve, apo njerëzve që kanë një axhendë që duan të zgjidhin gjërat me konflikt të armatosur?

Veseli: Ditëve të fundit kemi kaluar një situatë që ka qenë shumë e rëndë. Për të mos thënë shpesh herë edhe konfuze. Më lejoni të theksoj, janë disa dimensione nga të cilat vërtet qytetarët tanë janë dëmtuar nga këto zhvillime. Po flasim për një situatë në të cilën pretendentë kundër pavarësisë së Kosovës kanë rritur zërat se Kosova është një vend i cili destabilizon vendet fqinje, çfarë nuk është e vërtetë. Ne respektojmë sovranitetin e vendeve fqinje dhe jemi për marrëdhënie fqinjësore të mira me gjitha shtetet fqinje në baza të një reciprociteti. Në të njëjtën kohë kemi një situatë në të cilën qytetarët tanë kanë pësuar atje. Është një situatë e cila është domethënëse për ne se kemi viktima, në të njëtën kohë kemi viktima dhe nga pjesa e policëve. Ne bashkëndjejmë me këto familje, nuk është situatë e lehtë për asnjë nga këta familjarë. Por ajo që është kryesore, ne duhet të ndërtojmë kauza të partneritetit. Shqiptarët kanë nevojë më tepër për partneritet, se sa kauzat e luftës në këto momente. Më lejoni të theksoj edhe një situatë të veçantë në Maqedoni para këtyre zhvillimeve ku qeverisja e Maqedonisë është ballafaquar me probleme të brendshme të tyre. Në këtë kohë ka ndodhur edhe kjo situatë që është konfuze. Edhe njëherë ne respektojmë fqinjësinë e mirë, përkrahim interesat e shqiptarëve që janë në Maqedoni, përkrahim Marrëveshjen e Ohrit, por në të njëjtën kohë dëshirojmë që të rritet më tepër besimi mes popujve në Maqedoni, në këtë kontekst edhe të shqiptarëve edhe të maqedonasve. Për arsye se me një besim më të madh do të kishim edhe më pak viktima dhe keqkuptime të tilla. Kemi proçeset integruese veri-atlanetike të cilat na bashkojnë.

Tare: Zoti.Veseli, çfarë iteresash kanë luftëtarë të tillë, të armatosur, siç pretendon pala maqedonase, që të ndodheshin dhe të bënin atë sulm në Kumanovë? Çfarë bënin aty, keni pasur ju si përfaqësues i shtetit të Kosovës informacion për këtë?

Veseli: Unë flas nga pozicioni si kryetar i Kuvendit. Nuk kam pasur informacione institucionale në të cilat do të bazohesha në një qëllim më të qartë. Ne e përcjellim me vëmendje situatën atje. Në të njëjtën kohë ngremë dhe shqetësimet tona kur është faza e trajtimit të burgosurve, që janë zënë atje. Dëshirojmë që ata të trajtohen në bazë të Konventave Ndërkombëtare dhe të mos keqtrajtohen. Të gjithë ne kemi obligim që të sillemi karshi ligjit njëjtë edhe me ata qytetarë.

Tare: Si mund ta kalojnë kufirin të armatosur disa persona nga Kosova në Kumanovë?

Veseli: Ne kemi fatkeqësisht, po ritheksoj kemi pasur disa qytetarë tanë të involvuar në këtë konflikt në Kumanovë. Nuk jemi të entuziazmuar për të mos thënë të kënaqur me atë çfarë ka ndodhur atje. Përkundrazi ne nuk na duhet luftë, ne na duhet fqinjësi e mirë. Ka shumë paqartësi, na duhet një hetim i thellë, ndoshta edhe ndërkombëtar për atë që ka ndodhur. Kemi shumë zëra që i dëgjojmë se ka pasur situata të paqrta, ka pasur implikime të cilat vërtet nuk i kanë ndihmuar Kosovës për ta akuzuar si destabilizues të një vendi fqinj.

Tare: Ka dhe nga ata që kanë akuzuar se kanë qenë situata të sajuara.

Veseli: Ne po flasim për një situatë që kërkon hetim ndërkombëtar që nuk bart në asnjë mënyrë interesin e Kosovës për të destabilizuar një shtet fqinj. Mund të ketë dhe sajesa, mund të ketë manipulime, mund të ketë dhe viktimizime të cilat duhet të hetohen ndërkombëtarisht dhe ne do insistojmë në këtë pjesë. Ndërsa në pjesën ku qytetarët tanë mbahen të arrestuar ne duam që të trajtohen ligjshmërisht dhe të mos keqtrajtohen.

Tare: A kanë qenë ka emra që tashmë janë shpallur si ndër viktimat, por dhe të burgosurit nga shteti maqedonas, të skeduar nga policia në Kosovë?

Veseli: Si Kuvend kemi marrë informacion nga një seancë dëgjimore që kemi pasur në komisionin parlamentar të Sigurisë, e cila ka qenë e mbyllur për opinionin. Janë ato informacione që çojnë në këtë konkluzion. Është situatë konfuze, ka shumë të paqarta. Ka shumë situata të paqarta, si u ndodhën qytetarët tanë atje, cila ishte kauza, si u futën në një ambient të izoluar, si u sulmuan ata, si u larguan disa prej tyre? Të gjitha këto kërkojnë një hetim ndërkombëtar.

Tare: Njihni ndonjë nga emrat e përfshirë në këtë konflikt?

Veseli: Nuk i njoh personalisht por si emra i kam dëgjuar. Kemi të bëjmë me disa që kanë qenë edhe kontribues në luftën e UÇK. Janë një pjesë e tyre që kanë qenë vërtet luftëtarë dinjitozë në luftën e UÇK, por është një pjesë e historisë që ka mbaruar në 1999. Ne po flasim për një rrethanë në 2015 që është plotësisht tjetër.

Tare: Ngjarjet e Kumanovës a kanë ngjashmëri me konfliktin e 2001 në Maqedoni, jemi në prag të një rreziku të ngjashëm?

Veseli: Nuk e besoj. Janë shumë rrethana të ndryshme, faktorë të tjerë politikë, kemi një situatë ndërkombëtare dhe rajonale të ndryshme. Ajo që na nevojitet të gjithë neve si kauzë është më tepër komunikim mes vetes, fqinjësi më e mirë dhe respektim i të drejtave të shqiptarëve.

Tare: Po informacion nga qeveria Gruevski për sulmin në Kumanovë a kishit?

Veseli: Ne si Kuvend nuk kemi pasur asnjë informacion,ose për ndonjë rrjedhojë të atij aksioni që na ka zënë në befasi, ka qenë vërtet trishtues për faktin se janë shkaktuar dhe viktima.

Tare: Pritet të ketë tensione gjatë ceremonisë së varrimit të këtyre viktimave, ka lajme që qarkullojnë për 2000 trupa të tjerë të mobilizuar, protesta të mundshme, sa reale janë këto?

Veseli: Ritheksoj, nuk kemi nevojë të krijojmë kauza të reja që u japim elemntë veçanërisht atyre që nuk u duan të mirën shqiptarëve se jemi destabilizues të rajonit. Nuk besoj se do ketë destabilizime të tjera, besoj se do ketë ceremoni varrimi siç u takon.

Tare: Familjarët kanë kërkuar një autopsi të dytë për trupat.

Veseli: Unë besoj që është plotësisht e drejtë. Nuk dua të futem në paragjykime, familjarët kanë të drejtë të dinë si ka ndodhur vrasja e tyre. Nuk dua të paragjykoj as autopsinë, as vrasjen e tyre. E theksova, ka nevojë për hetim ndërkombëtar.

Tare: Po rolin e partive shqiptare atje si e shikoni?

Veseli: Ata duhet të jenë më afër qytetarëve njerëzve të tyre, sidomos në momente të vështira, dhe të mos lejojnë që të tjerët ti keqpërdorin. Nuk ka qenë shumë dinjitoze mosmundësia për të shkuar asnjë prej liderve shqiptarë dhe të shkojë lideri i opozitës maqedonase.

 

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com