Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione

19.05.2020

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, i drejtuar nga Rasim Demiri, kryetar, në mbledhjen e sotme diskutoi lidhur me ndarjen e mjeteve në vlerë prej 10 milionë euro nga ana e Qeverisë së Kosovës, për pagesën e shpenzimit të rrymës në veri të Kosovës.

 

Në këtë  mbledhje, të ftuar në raportim ishin përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, si dhe Përfaqësuesit e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike KOSTT.

 

Kryetari Demiri, para anëtarëve të komisionit tha se kjo mbledhje është thirrur me iniciativën e disa deputetëve, duke theksuar se para komisionit gjinden njerëzit më kompetentë për të diskutuar për çështjen në fjalë.

 

Nga ana e ZRRE-së, Arsim Janova, kryeshef ekzekutiv, e informoi komisionin se për mjetet e ndara në vlerë prej 10 milionë euro ka një vendim, i cili është në linjë buxhetore dhe se nuk janë mjete mbulesë për shpenzimet e energjisë elektrike në veri, por si një garant për t’u kyçur në Rrjetin Evropian të Sistemit të Operatorëve.

 

Ilir Shala, kryeshef ekzekutiv i KOSTT, nga ana e tij theksoi se arritja e marrëveshjes më 20 prill në mes të operatorit kosovar KOSTT dhe ENTSO-E, marrëveshje sipas së cilës KOSTT-i do t'i bashkohet një blloku të ri të kontrollit energjetik Kosovë-Shqipëri, është arritje historike, e cila i hap rrugë KOSTT-it, gjithmonë duke bashkëpunuar me qeverinë dhe miqtë ndërkombëtarë.

 

Deputetët pjesëmarrës, gjatë diskutimeve shfaqën shqetësimet e tyre sa u përket praktikave diskriminuese ndaj qytetarëve, duke shikuar mundësitë e rimbursimit të qytetarëve për aq kohë sa kanë paguar për 5 % më shumë në faturat e tyre, për të mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike në veri të Kosovës.

 

Po ashtu, anëtarët e komisionit konstatuan se me rastin e faturimit prej 5 % të energjisë elektrike qytetarëve të Kosovës është bërë shkelje e të drejtave të njeriut, duke kërkuar llogari nga institucionet përkatëse.