Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbylli punimet Takimi i 11-të i Komisionit për Stabilizim Asociim BE-Kosovë

27.03.2024

Komisioni për Stabilizim Asociim BE-Kosovë vazhdoi sot punimet me sesionin e dytë në takimin e tij të 11-të. Nën drejtimin e bashkëkryesuesve Mimoza-Kusari Lila dhe Lukas Mandi, takimi filloi me paraqitjen e rekomandimeve të përbashkëta të deputetëve të Republikës së Kosovës dhe deputetëve nga Parlamenti Evropian.

Deklarata e përbashkët me 16 rekomandimet e propozuara u miratua me shumicë votash, ndërsa u bën edhe plotësim-ndryshime në disa amendamente. 

Tutje, tematika e parë për trajtim ishte lidhur me ekonominë dhe mirëqenien sociale, për të cilën diskutuan disa deputetë. Deputetja Jeta Statovci foli për rritjen ekonomike gjatë tri viteve të qeverisjes, duke përmendur masat mbështetëse të Qeverisë ndaj bizneseve të vendit, me një rritje rreth 6.2%, dhe fokusin kryesor të Qeverisë Kurti tek rinia dhe gratë. Me masën super puna, tha ajo, është arritur të punësohen shumë të rinj në biznese private. 

Ndërsa në fjalën e tij deputeti Pal Lekaj tha se Kosova u gjend në një periudhë të vështirë në kohën e pandemisë dhe invazionit rus në Ukrainë, për pasojë të të cilit mirëqenia e qytetarëve u rëndua tej mase. Ai tha se duke pasur parasysh rrethanat është shumë me rëndësi që të ketë investim të huaj ekonomik në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkan, që të mund të arrihen objektivat e MSA-së. Sipas Lekajt edhe në vitin që lamë pas Kosova u ndihmua nga MSA-ja me asistencë teknike dhe përmirësim të performancës, ndërsa duke përmendi CEFTA-n si shembullin konkret që edhe pse Kosova ka vullnet të plotë ta respektojë nuk gjen bashkëpunim dhe bizneset Kosovare janë shpesh herë të bllkuara, andaj kërkoi nga eurodeputetët që të ndikojnë në heqjen e masës sanksionuese prej 300 milionë eurosh, ngase, siç tha ai, po dëmton qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në temën e radhës rreth energjisë, foli deputeti dhe njëherësh zëvendëskryesuesi Elmi Reçica, i cili paraqiti mendimin e tij rreth energjisë në parimin e përballueshmërisë së çmimeve dhe raportin me mjedisin. Deputeti Reçica ishte kritik për, siç tha ai, intensitetin e ulët të diversifikimit të burimeve të energjisë dhe që fokusi të jetë tek energjia e gjelbër, me qëllim të ruajtjes së ambientit. Përndryshe, sipas tij, emetimi kaq i madh i gazrave nga rryma me thëngjill e vështirëson jetën e qytetarëve. 

Po në këtë linjë deputetja Mimoza Kusari Lila potencoi se dy vitet e fundit kanë qenë të vështira për Kosovën por edhe për rajonin, por me gjithë vështirësitë, sipas saj, është arritur me sukses përballimi i krizës me anë të skemave mbështetëse për qytetarët, me subvencione për pajisje efiçiente për kursim të energjisë etj. Prej arritjeve Kusari-Lila e cilësoi marrëveshjen për çiftëzimin me Shqipërinë përmes bursës energjetike Alpex.

Lidhur me sundimin e ligjit dhe sistemit të sigurisë foli deputeti Dimal Basha, i cili theksoi se sistemi i sigurisë së Kosovës ka qenë i sulmuar nga grupe kriminale serbe në veri të vendit dhe si pasojë e këtyre sulmeve kanë pësuar edhe individë privatë, përfshirë këtu gazetarë, ushtarë të KFOR-it, qytetarë civilë e të tjerë. Ai tha se ky sulm ka qenë i financuar nga institucionet e Serbisë, por që falë profesionalizmit të treguar nga forcat e policisë, sot veriu i Kosovës është shumë më i sigurt. Ndër tjerash deputeti Basha falënderoi deputetët e Parlamentit Evropian për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë, nëpërmjet reformimit dhe luftimit të korrupsionit.
    
Në po të njëjtën temë deputetja Blerta Deliu Kodra e konsideroi të dështuar reformën në drejtësi, përderisa potencoi edhe vërejtjet përmbajtësore të Komisionit të Venecias, përpjekjet e vazhdueshme, sipas saj, për të interferuar në organet e drejtësisë, rritjen e rasteve të dhunës në familje etj., andaj sipas saj duhet të ketë më shumë vullnet politik për të arritur reformat në drejtësi e në ekonomi.

Në temën e fundit për diskutim rreth të drejtave themelore, pozita e komuniteteve jo shumicë dhe pozita e gruas, në fjalën e saj deputetja Arbëreshë Kryeziu Hyseni, foli rreth angazhimit të institucioneve të Republikës së Kosovës në rritjen e progresit të pozitës së gruas dhe komuniteteve jo shumicë në vend, e arritur kjo përmes vullnetit dhe bashkëpunimit të mirëfilltë, nisur nga Zyra e Kryeministrit deri tek nivelet e tjera institucionale. Ajo tha se pakot e dizajnuara nga Ministria e Financave kanë qenë ndihmesë e madhe për gratë dhe statusin e tyre financiar, ndërsa edhe Ministria e Drejtësisë ka hartuar dhe miratuar politika e dokumente strategjike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe rishikimin e masave ndëshkuese për kryerësit e veprave penale, të kryerësve të dhunës seksuale dhe asaj në familje.

Nga ana tjetër deputeti Armend Zemaj tha se Kosova si një shtet i ri ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të konsolidojë shtetin e së drejtës në funksion të të drejtave të njeriut, nëpërmjet mekanizmave të kontrollit demokratik institucional. Ai tha se Kosova ka pasur dhe ende ka nevojë për mbështetjen e Bashkimit Evropian, prandaj potencoi që Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet bazuar në Kushtetutë, në mënyrë që të sigurojë ambient të qetë për të gjitha komunitetet. Ai tha gjithashtu se edhe me pozitën e gruas Kosova është shembull i mirë për rajonin, për mundësitë që ofron, por që kjo, sipas tij, assesi nuk mjafton, ngase, siç tha ai, duhet të punohet së bashku për të ndërtuar një shoqëri tolerante, duke i parë gratë dhe vajzat si potencial të madh për angazhimin e tyre në të mirë të shoqërisë.

Me shterimin e pikave të parapara në takimin e sotëm, KPSA përmbylli punimet, duke e çmuar edhe një herë lart kontributin e secilit deputet.