Kuvendi i Republikës së Kosovës

FJALA E KRYETARIT TË KUVENDIT TË KOSOVËS, Z. KOLË BERISHA, NË AKADEMINË PËRKUJTIMORE ME RASTIN E 5-VJETORIT TË VRASJES SË SMAJL HAJDARAJT, ISH-DEPUTET I KUVENDIT TË KOSOVËS DHE ISH-KOMANDANT I UÇK-SË PËR RUGOVË

18.03.2015
E nderuara familje Hajdaraj,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale të Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës; bashkëluftëtarë të ish-komandantit të UÇK-së për Rugovë, të ndjerit Smajl Hajdaraj; përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive të tjera politike të Kosovës; ministra e zëvendësministra të Qeverisë së Kosovës; kryetarë komunash; përfaqësues të TMK-së dhe të SHPK-së; përfaqësues të mjeteve të informimit, miq e dashamirë të familjes Hajdaraj,
Zonja e zotërinj,

S™do mend se, historia jonë kombëtare, paksa më e veçantë nga historitë e të tjerëve, është aq e përgjakur në kohë dhe në hapësirë sa, pothuajse, të rralla janë ato ditë, ato javë dhe ata muaj në kalendarin vjetor dymbëdhjetëmuajsh, që trojet shqiptare nuk do të mund t™i shpallnin si ditë, javë, muaj apo vite zie.

Por, për dallim nga muajt e tjerë të vitit, si për çudi, duke filluar nga ai viti i largët 1468, kur pas një çerek shekulli luftërash të suksesshme kundër Peradorisë Otomane, vdiq Kryetrimi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e deri në ditët e sotme, ky muaj, muaj janar, bart në vete nëpër vite, dekada e shekuj, një tragjikë të veçantë; bart vdekje të natyrshme, por edhe vrasje makabre, vrasje të shumta të figurave më të shquara të historisë, të gjuhës, të letërsisë dhe të traditës sonë kombëtare.

Janarët tanë, secili veç e veç, dhe të gjithë njësoj, sikur paralajmëronin fillimin e viteve tona të zisë e të pikëllimit, të lotit e të hidhërimit, të vajit e të gjëmimit, të mllefit e të mallkimit.

Në janar u ndanë nga jeta: Isa Boletini e Bajram Curri. Ismajl Qemajli e Haxhi Zeka; Vorea Ujko, Ernest Koliqi e Haki Stërmilli, vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, Enver Maloku, Tahir Zemaj, bashkë me të birin Enisin dhe kushëririn Hasan Zemajn. Në janar ndodhi Reçaku. Në janar, tri vjet më parë, në ujërat e Detit Jon, u mbytën 27 shqiptarë, kryesisht të rinj.

Po ashtu, pikërisht në këtë muaj, një vit më parë, vdiq poeti e shkrimtari, esteti dhe kritiku letrar, autori dhe koautori i shumë librave të zhanreve të ndryshme letrare, njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësi i të parës parti “ Lidhjes Demokratike të Kosovës, politikani dhe burrështetasi i njohur, Presidenti, tashmë i ndjerë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Por, po në janar, pesë vjet më parë, pikërisht më datën 17, u vra edhe në shqiptar, u vra edhe njëri ndër komandantët e njësiteve ushtarake në Rugovë, dhe deputeti i Parlamentit të parë pluralist në Kosovën e lirë, Smajl Hajdaraj.

Andaj, miq të pikëlluar, jemi mbledhur sot, në këtë Akademi Përkujtimore, për ta përkujtuar kështu së bashku ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës dhe ish-komandantin e UÇK-së për Rugovë, tashmë të ndjerin Smajl Hajdarajn, në 5-vjetorin e vrasjes së tij. Jemi tubuar sot këtu, për ta shprehur dhembjen tonë për intelektualin, për trimin, për luftëtarin e lirisë, për politikanin, për deputetin e legjislaturës së parë, dhe për veprimtarin e devotshëm të çështjes kombëtare, por edhe për të treguar haptazi krenarinë që Kosova pati e ka burra si Smajl Hajdaraj.

Zonja e zotërinj,

Jeta dhe vepra e Smajl Hajdarajt, këtij burri të madh të Kosovës, do të mund të ndahej në dy faza: në fazën e para dhe gjatë luftës, dhe në fazën e pasluftës. Smajl Hajdaraj u inkuadrua në Lidhjen Demokratike të Kosovës në fillim të viteve ˜90-të. Pra, që nga ditët e para, të themelimit të LDK-së, me tërë qenien e tij prej intelektuali e politikani, Smajl Hajdaraj iu bashkua lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës. Ishte i devotshëm në punën e tij në Degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë. Ishte një nga themeluesit e Nëndegës së LDK-së në Rugovë, ndërsa më vonë, më 1997, u zgjodh edhe kryetar i kësaj Nëndege. Më 1998, Smajl Hajdaraj u aktivizua edhe me pushkë në dorë në luftën tonë për liri e pavarësi. Me shpërthimin e luftës në Kosovë, ai doli në ballë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Rugovës. Për trimërinë e pashoqe, bashkëluftëtarët e tij, e zgjodhën Smajlin komandant të Shtabit Rajonal të UÇK-së për Rugovë. Dhe, kjo do të ishte, në pika të shkurtra faza e parë e veprimtarisë së tij të lavdishme.

Ndërsa faza e dytë e veprimtarisë po aq të lavdishme e jetës dhe veprës së tij, që përfshinë fazën e pasluftës, ndonëse e shkurtër, lidhet me përpjekjet e pashoqe të politikanit Smajl Hajdaraj për të krijuar dhe për të zhvilluar institucionet demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës, edhe në nivel komunal, por edhe në atë qendror. Në tetor të vitit 2000, në zgjedhjet e para të lira lokale në Kosovën e pasluftës, Smajl Hajdaraj, zgjedhet këshilltar në Kuvendin Komunal në Pejë, kurse, në nëntor të vitit 2001, në ato nacionale, Smajli zgjedhet deputet i Kuvendit të Kosovës. I palodhshëm, i qetë, vetëmohues dhe i devotshëm si Njeri, mbeti deri në ditën e vrasjes, në një atentat në hyrje të banesës së tij në lagjen Fidanishte të Pejës, më 17 janar 2002, duke iu bashkangjitur, kështu, vargut të gjatë të viktimave të janarit, por, në të njëjtën kohë, edhe personaliteteve më të ndritura të historisë kombëtare. Në kohën kur u vra, ai ishte edhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Pejë.

Të nderuar të pranishëm,

Ndonëse, personalisht me Smajlin u njoha vonë, dhe vrasja e tij bëri që të kemi vetëm një bashkëpunim të shkurtër, unë, megjithatë, ndjehem i privilegjuar që e njoha dhe punova me te.

Andaj, më lejoni që këto pak fjalë për ish kolegun-deputetin e Kuvendit të Kosovës dhe ish-komandantin e UÇK-së për Rugovë, Smajl Hajdarajn, t™i përfundoj me konstatimin që, për këtë burrë të madh të Kosovës, e dha Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova: (po citoj)

Smajl Hajdaraj do të mbetet në historinë moderne të Kosovës si burrë i madh, me vepër heroike për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës. Ai ishte një burrë tipik kosovar, që punon pa iu ndier shumë zëri, që punët në kohë të vështira i merr si obligim dhe i kryen me përkushtim. Kosovarët këta trima i quajnë 'burra të dheut', burra të vendit, që punojnë dhe që sakrifikohen për të, duke lënë veprën dhe shembullin e Tij për brezat e ardhmërisë. (fund i citatit)

Lavdi jetës dhe veprës së Smajl Hajdarajt!