Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e OSBE-së, Verner Wnendt

18.03.2015

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot shefin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, në Kosovë, ambasadorin Verner Wnendt. Teme themelore e këtij takimi ishte bashkëpunimit ndërmjet OSBE-së dhe Kuvendit të Kosovës. Në këtë vështrim ambasadori Wnendt konstatoi me kënaqësi bashkëpunimin gjatë vitit 2006, si dhe disa projekte madhore që e presin Kuvendin në vitin 2007, e që mund të realizohen në bashkëpunim me OSBE-në.

Modeli i deritashëm i bashkëpunimit është treguar i frytshëm dhe i njëjti duhet të aplikohet edhe në punën e mëtejme. Raporti më i ri i OSBE-së, që do të publikohet këto ditë, konstaton përparime dhe rezultate të konsiderueshme në punën e Kuvendit të Kosovës, theksoi Wnendt. Në vijim ai, duke përcjellë qëndrimet nga takimi i ambasadorëve të OSBE-së në Vjenë, tha se Kosova mbetet çështje shumë e rëndësishme , e në këtë kuadër, bashkëpunimi e mbështetja për Kuvendin e Kosovës është ndër prioritetet kryesore.

Kryeparlamentari Berisha u falënderua për bashkëpunimin e deritashëm, duke çmuar njëkohësisht edhe bashkëpunimin e mëtejmë, duke pasur parasysh sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova. Në këtë frymë ai përmendi projektet kryesore, si : procesi kushtetues, Ligji i zgjedhjeve dhe vazhdimi i reformave në Kuvendin e Kosovës .

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, z. Wnendt, prezantoi këshilltaren e re ligjore të OSBE-së në kabinetin e kryeparlamentarit , Liia Hanni, eksperte nga shteti i Estonisë. Z. Hanni ka përvojë në hartimin e Kushtetutës së Estonisë dhe është anëtare disavjeçare e Qeverisë së Estonisë. Kryeparlamentari i uroi mirëseardhje ekspertes Hanni, duke theksuar se përvoja e saj do të jetë e dobishme edhe nga fakti i ngjashmërisë ndërmjet Estonisë dhe Kosovës, në këtë fazë të zgjidhjes së statusit të Kosovës.