Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjala përshëndetëse e Kryetarit, Jakup Krasniqi me rastin e vizitës së Presidentit Topi në Kuvendin e Kosovës

18.03.2015
I nderuar zoti president, Bamir Topi,

Duke ju uruar mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, dëshiroj që në emrin tim dhe të kolegëve parlamentarë të Kosovës, t™ju përshëndes ju, zonjën tuaj të nderuar dhe bashkëpunëtorët që ju shoqërojnë.

Vizita juaj koincidon me procesin intensiv të konsolidimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e përgjithshme për organet qendrore dhe lokale të pushtetit në Kosovë. Këto zgjedhje ishin edhe një sprovë e suksesshme e demokracisë së re në Kosovë. Ato u zhvilluan sipas standardeve të përparuara demokratike, me një kulturë të lartë politike dhe me rezultate të pakontestuara.

Legjislatura e tretë e Kuvendit dhe institucionet tjera të Kosovës përbëhen nga përfaqësues të zgjedhur e të emëruar të komuniteteve të ndryshme, që shpreh dhe pasqyron shoqërinë tonë shumetnike, por edhe frymën e re të bashkëjetesës e të zhvillimit të saj të lirë e demokratik.

Kosova ndodhet gjithashtu në fazën e shpalljes dhe të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë. Pavarësia e Kosovës, e aspiruar nga shumica e qytetarëve të saj, tashmë po mbështetet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shumica e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pavarësimi i Kosovës do ta bëjë shoqërinë tonë të lirë dhe sovrane, do të sigurojë barazinë e plotë për të gjithë qytetarët e saj, pa asnjë dallim, duke e kthyer vendin tonë në një faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

Kosova është kthyer drejt të ardhmes së saj demokratike e evropiane, duke lënë pas historinë e saj të dhembshme. Kosova e integruar në familjen e madhe evropiane, atje ku e ka vendin që nga antika ilirike, do të jetë bashkë me fqinjët e saj, me të cilët në mënyrë të përkushtuar do të synojë ndërtimin e marrëdhënieve të reja mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të ngushtë reciprok. Jam i bindur se në gjithë Gadishullin tonë po fryjnë erë të reja të integrimeve e të partneritetit midis kombeve dhe vendeve. Kosova do t™i qëndrojë besnike kësaj filozofie politike të vizionit për të ardhmen e ndritur të popujve të kësaj pjese të Evropës së bashkuar.

Zoti president,

Gjej këtë rast të bukur të falënderoj Republikën e Shqipërisë dhe ju personalisht për kontributin e madh që keni dhënë në proceset kombëtare e ndërkombëtare nëpër të cilat po kalon Kosova dhe çështja e saj. Mbështetja juaj dhe bashkëpunimi intensiv e parimor ndërkombëtar ka qenë dhe mbetet e një rëndësie të veçantë për Kosovën. Ju sigurojmë që investimi juaj dhe ai ndërkombëtar për shtetin e Kosovës do të shkojë në dobi të gjithë qytetarëve të saj, në dobi të demokratizimit të vendit tonë dhe do t™ i shërbejë paqes e sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin.

Ju faleminderit.

Zoti president i Republikës së Shqipërisë, Kam nderin dhe kënaqësinë t™ju ftoj t™i drejtoheni kuvendit të Kosovës me një fjalë përshëndetëse.