Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Krasniqi priti presidentin kroat, Mesiq

18.03.2015
Para se të fillonte seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, për ta nderuar mikun e madh të Kosovës, presidentin kroat, Stjepan Mesiq, kryetari i Kuvendit dr. Jakup Krasniqi e ka pritur presidentin kroat, ka mbajtur një seancë fotografimi me të, si dhe një konferencë shtypi, pas përfundimit të takimit.

Duke i uruar z. Mesiq mirëseardhje në Kosovën e pavarur dhe në organin më të lartë ligjvënës të vendit, Krasniqi ka vlerësuar kontributin e presidentit kroat për përparimin e shtetit të Kroacisë dhe për pavarësinë e Kosovës. Ne e çmojmë lart kontributin dhe sakrificën tuaj për popullin kroat, për miqësinë e tij me popujt e tjerë dhe për gjithë çfarë keni bërë për të mirën e Kosovës dhe të qytetarëve të saj , ka theksuar Krasniqi, duke u shprehur i bindur se presidenti Mesiq do të mbetet mik i madh i Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi ka theksuar vullnetin e institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për të thelluar bashkëpunimin e gjithanshëm me Kroacinë, duke veçuar mundësitë e gjera të bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve kroate në Kosovë. Krasniqi ka vlerësuar përvojën kroate në procesin e integrimeve evropiane, prandaj ka kërkuar një lobim edhe më të fuqishëm të Kroacisë për ta ndihmuar Kosovën në planin e njohjeve diplomatike, në procesin e integrimeve evropiane dhe liberalizimin e vizave me vendet e BE-së.

Duke shprehur kënaqësinë e tij që ndodhet për vizitë në Kosovën e pavarur dhe duke e kuptuar thellë procesin e shtetndërtimit dhe thellimit të demokracisë, presidenti kroat, Stjepan Mesiq, ka theksuar se Kosova është shteti më i ri i Evropës, njëherësh shtet i kombit më të vjetër të kontinentit. Ai ka vlerësuar rolin Kosovës për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe ka premtuar se Kosova do të ndihmohet në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe anëtarësimit në NATO.

Ndër shembujt e mirë që e forcojnë besimin dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve miq, Mesiq ka theksuar kontributin e qytetarëve shqiptarë, jo vetëm të Kroacisë, për luftën mbrojtëse të atdheut të tij, duke përmendur faktin që shqiptarët kanë marrë pjesë në luftë që nga ushtarët e thjeshtë e deri tek gjeneralët. Ai është pajtuar për domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave për gjithë qytetarët e Ballkanit, duke u shprehur optimist se kjo edhe do të realizohet.

Pas takimit me kryeparlamentarin Krasniqi, presidenti Mesiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për shkaqet e konflikteve në ish-Jugosllavi, ka përmendur serbizimin e Armatës së Jugosllavisë dhe vënien së saj në shërbim të hegjemonizmit serb për pushtime territoresh dhe spastrime etnike të popujve. Përvojat e luftës mbrojtëse të Kroacisë dhe të luftës çlirimtaret Kosovës, ka thënë Mesiq, tregojnë se mbrojtja më e mirë e pakicave është integrimi në shoqëritë, në të cilat jetojnë. Ndër synimet aktuale të Kroacisë, ndërkaq, ka përmendur: jetën më të mirë të qytetarëve, anëtarësimin në BE dhe anëtarësimin në NATO, për të garantuar sigurinë e vendit. Ai është shprehur i bindur se këto janë synime edhe të popullit të Kosovës, i cili do të ndihmohet në përmbushjen e këtyre synimeve madhore, është zotuar Mesiq.