Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seancë solemne për nder presidentit të Kroacisë, Stipe Mesiq

18.03.2015
I nderuar president Mesiq, mirë se erdhët në Republikën e Kosovës dhe mirë se erdhët në organin e saj më të lartë ligjvënës. Duke ju përshëndetur përzemërsisht, dëshiroj që në emër të Kuvendit të Kosovës t'ju falënderoj për vizitën që po na bëni në fund të mandatit shumë të suksesshëm të presidentit dinjitoz të Republikës së Kroacisë. Me këto fjalë i është drejtuar sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, presidentit të Kroacisë, Stipe Mesiq, në seancën solemne që u mbajt për nder të tij, i cili po qëndron në Kosovë në vizitën e fundit presidenciale.

Kryeparlamentari Krasniqi tha se z. Mesiq është udhëheqës i dashur i popullit mik kroat dhe burrështetas i respektuar në botë. Ai theksoi se presidenti Mesiq çmohet si mik i madh, i cili mbrojti në kohë të vështira të drejtat legjitime të popullit të Kosovës, kontribuoi për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, dhe për thellimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe popujve tanë. Kreu i Kuvendit vlerësoi se Republika e Kroacisë ishte një nga mbështetësit brilant të pavarësisë së Kosovës në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Duke kujtuar vizitën e tij të fundit në Zagreb, dhe pritjen e ngrohtë e miqësore nga autoritetet kroate, i pari i Kuvendit të Kosovës iu bëri një elaborim proceseve politike në Kosovë gjatë dy vjetëve të fundit. Ai tha se pavarësia e Kosovës e njohur nga 64 vende, së cilës i ka kontribuar edhe presidenti Mesiq, po mbështetet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Kryeparlamentari Krasniqi theksoi se Kosova e re ka ndryshuar shumë dhe shpejt, duke u bërë atdhe i lirë i një shoqërie multietnike me qytetarë të barabartë, dhe nga një vatër krizash e krimesh gjenocidale, ajo përbën sot një faktor paqeje, bashkëpunimi e stabiliteti në rajon. Krasniqi tha se prioritete të shtetit tonë të ri, janë anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në, zhvillimi i gjithmbarshëm e ngritja e mirëqenies dhe integrimi evropian e euroatlantik.

Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, në fillim të fjalës së tij, shprehu kënaqësinë që po iu drejtohet deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe shtetit të popullit më të vjetër të kësaj pjese të kontinentit të vjetër. Presidenti kroat tha se vizita e tij nuk është e drejtuar kundër askujt, por ajo është vetëm në funksion të forcimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, por edhe stabilitetit dhe sigurisë në tërë rajonin. Ai tha se vjen në Kosovë në kohën kur ajo ende me shumë mundime depërton në skenën ndërkombëtare, kur kërkon vendin e vet në botë, vendin i cili i takon “ sepse, çdo populli i takon e drejta për vetëvendosje dhe që ta drejtojë fatin e vet. Sipas Mesiq, pozita kushtetuese-ligjore e Kosovës si krahinë autonome në ish-Jugosllavi, ka qenë e zgjidhur në mënyrë të veçantë, në një mënyrë që nuk gjendet askund në botë, kështu që është plotësisht e arsyeshme kur thuhet se Kosova është rast ˜sui generis™. Kur interpretohet kushtetuta jugosllave e vitit 1974, nuk duhet të referohemi vetëm në shkronjat e Kushtetutës, por edhe në shpirtin e saj. E atëherë janë konsekuencat e qarta, mu siç është e qartë edhe ajo që Kosova si krahinë autonome në federatën jugosllave nuk mund të krahasohet me asnjë autonomi ekzistuese, ose ish-autonomi në cilindo shtet të ndërlikuar, të tashëm ose të dikurshëm. Kroacia është udhëhequr mu në këtë, kur ka vendosur që ta pranojë Kosovën e pavarur. Kemi menduar se nuk ka rrugë tjetër, tha në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, presidenti kroat Stipe Mesiq. Ai shtoi se bisedat mbi statusin e Kosovës nuk kanë dhënë kurrfarë rezultati, federata, pjesë përbërëse e së cilës ishte Kosova, domethënë, si pjesë konstituive, edhe pse ka qenë e lidhur edhe me Republikën e Serbisë, kjo federatë nuk ka ekzistuar më dhe është dashur të përcaktohet se çka do të bëhet me Kosovën. Administrimi ndërkombëtar, tha ai, në kohë të pacaktuar po ashtu nuk ka qenë kurrfarë zgjidhje.

Presidenti Mesiq, i cili është edhe një nga përkrahësit më të mëdhenj të shtetit të Kosovës, tha se Serbia e ka të vështirë të marrë vendimin për pranimin e Kosovës, por, siç theksoi ai, për shkak të interesave të serbëve që jetojnë këtu, ajo duhet të vendos një ˜modus vivendi™ të caktuar për Kosovën. Mesiq tha se do të ishte mirë që serbëve të mos iu këshillohet më që ta refuzojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në organet e pushtetit të shtetit të ri, njëlloj siç do të ishte mirë që të pushojnë të ushqejnë ëndrrat joreale mbi atë se rrota historike mund të kthehet prapa. Nuk mundet, tha presidenti i Kroacisë. Ai shtoi se ish-federata e Jugosllavisë është shkatërruar dhe e tërë bota e di se kush e mban përgjegjësinë më të madhe për këtë shkatërrim. Sipas tij, në pyetje ka qenë vetëm koha se kur do të ndodhë pavarësimi i Kosovës. As që mund të kthehet federata jugosllave, e as Kosova nuk mund të kthehet në gjendje në të cilën ka qenë para shpalljes së pavarësisë, theksoi miku i madh i Kosovës, duke shtuar se arkitektura e kësaj hapësirë është kryer, dhe tash para të gjithëve është detyra e madhe e hyrjes në Evropën e bashkuar.

Presidenti kroat tha se vendi i tij është i interesuar për ngritjen e marrëdhënieve me fqinjin verior të Kosovës, por, sipas tij, Kroacia nuk mund të lejojë që marrëdhëniet me cilindo vend në rajon të mbahen peng i marrëdhënieve me ndonjë vend tjetër të rajonit të njëjtë.

Duke folur rreth ngjarjeve të dekadës së kaluar, të cilat kanë përcjellë vendet e dala nga ish-Jugosllavia, presidenti i Kroacisë tha se duhet të pranohet e vërteta mbi atë se çka ka ndodhur, por potencoi se e vërteta na drejton deri te individualizimi i fajit për krimet e luftës, atje ku janë kryer. Ai tha se ne nuk mund ta ndërtojmë të nesërmen tonë, të ngarkuar me atë çka ka qenë dje, por nuk mund as të lejojmë që pa skrupull të shtrembërojmë atë çka ka qenë me të vërtetë. Unë zakonisht e them që ka ndodhur vetëm ajo çka ka ndodhur. Të pranojmë atë çka ka ndodhur, të nxjerrim mësim nga ajo dhe t™i kthehemi të ardhmes. Në shërbim të kësaj të ardhmeje unë jam sot këtu në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Këtu jam që t™ju ftoj në ndërtimin e marrëdhënieve sa më të mira dhe sa më të zhvilluara ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, por edhe në ringjalljen e bashkëpunimit rajonal, në shërbim të forcimit të stabilitetit në rajon dhe në shërbim të përgatitjes së të gjitha vendeve të rajonit për hyrje në Evropën e bashkuar, theksoi presidenti kroat, ndërsa shtoi se vendi i tij është i gatshëm që çdonjërit prej këtyre vendeve t™i ndihmojë që sa më shpejt të kalojë rrugën së cilës jemi duke shkuar, e kjo vlen edhe për Republikën e Kosovës.

Hyrja e presidentit kroat Stipe Mesiq në sallën e Kuvendit të Kosovës dhe fjala e tij, janë pritur me ngritje në këmbë dhe duartrokitje nga deputetët dhe mysafirët e tjerë në Kuvend.