Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

18.03.2015

Ka vazhduar sot seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e ndërprerë të premten.

Punimet e saj u hapën me deklarimin e deputetes Blerta Deliu-Kodra, e cila foli për rëndësinë e sensibilizimit të opinionit publik lidhur me nxitjen e veprimeve për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave në vendin tonë.

Seanca vazhdoi me shqyrtimin e projektligjeve, nën drejtimin e nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, para deputetëve prezantoi dhe arsyetoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, të cilin ai e konsideroi të nevojshëm, ngase, sipas tij, rregullon statusin e bashkësive fetare, pozitën e tyre juridike dhe fondet e tyre.

Haradinaj tha se me ligjin në fuqi njihen pesë bashkësi fetare në Kosovë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha ortodokse serbe, Kisha katolike, Bashkësia e besimit hebre dhe Kisha protestante, ndërsa në projektligj është shtuar edhe bashkësia e tarikateve të Kosovës.

Rekomandimin e komisionit funksional për miratimin e këtij projektligji, e paraqiti kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje, ndërsa përfaqësues të grupe parlamentare prezantuan qëndrimet e tyre përkitazi me projektligjin.

Pas diskutimeve të deputetëve të tjerë, të cilët dhanë edhe vërejtje dhe sugjerime lidhur me përmbajtjen e projektligjit, Kuvendi e miratoi atë në parim, duke i hapur kështu rrugë shqyrtimit të tij të mëtejshëm në komisionet parlamentare.

Nga 78 deputetë sa votuan gjithsej, 61 ishin për, në mesin e të cilëve 15 deputetë nga komunitetet pakicë, 4 kundër, ndërsa 13 abstenime.

Punimet e Kuvendit vijuan me shqyrtimin e parë të Projektligjit për kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën, të cilin para deputetëve e prezantoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi.

Krahas rekomandimit të komisionit funksional, për miratimin e këtij projektligji ishin edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe deputetë të tjerë të Kuvendit, të cilat po ashtu shtruan nevojën e përmirësimeve në pjesë të ndryshme të projektligjit. Me votat e shumicës së deputetëve të Kuvendit, projektligji u miratua.

Po ashtu, Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë edhe pesë projektligje të tjera: Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trashëgiminë në Kosovë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën jo-kontestimore, si dhe Projektligjin për ndërmjetësim.

U shqyrtuan për herë të parë, ndërkaq, edhe pesë projektligje: Projektligji për shoqëritë tregtare, Projektligji për standardizim, Projektligji për noterinë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-214, si dhe Projektligji për infrastrukturën kritike, për të cilat nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Seanca vazhdon të enjten, më 30 nëntor, në orën 11:00, me pikat e mbetura të rendit të ditës.