Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

18.03.2015

Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka vazhduar sot punimet e seancës plenare, nën drejtimin e kryetarit Kadri Veseli (pjesë të saj udhëhoqën nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Kujtim Shala).

Kuvendi miratoi në parim pesë projektligje, për të cilat debati ishte shterur gjatë ditës së djeshme: Projektligjin për shoqëritë tregtare, Projektligjin për standardizim, Projektligjin për noterinë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-214, si dhe Projektligjin për infrastrukturën kritike.

Në vazhdim, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi edhe raportin vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2016, si dhe rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, për shkarkimin e anëtares së Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Mimoza Hasani-Pllana, me konstatimin se duke mbajtur njëkohësisht pozitë në shërbimin civil të Kosovës dhe atë të anëtares së Bordit të RTK-së, ajo ka shkelur ligjin.

Punimet e Kuvendit vijuan me shqyrtimin e raportit vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Financave, Bedri Hamza.

Pas diskutimeve të përfaqësuesve të grupeve parlamentare, Kuvendi miratoi raportin.

Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe raportin vjetor për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2016. Ndërkaq, me votim të fshehtë, deputetët zgjodhën Vlorë Berishën anëtare të Komisionit të Pavarur të Mediave, ndërsa Hajdar Korbin dhe Valdrin Kasumajn, anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, me mandat katërvjeçar.