Kuvendi i Republikës së Kosovës

CILA ISHTE AGJENDA IME NË KËTË PERIUDHË?

18.03.2015

Në periudhën nga 13 marsi 2006 e deri më sot janë mbajtur 16 mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, janë mbajtur 8 takime me shefat e grupeve parlamentare, 2 takime me kryetarët e komisioneve dhe 11 seanca plenare, nga të cilat 2 kanë qenë dyditore, 1 e jashtëzakonshme dhe një seancë ka qenë treditore. Po në këtë periudhë, kam pritur në audiencë 8 ambasadorë të shteteve të ndryshme. Kam pasur 29 takime me shefat e Zyrave të huaja Ndërlidhëse në Kosovë. Tek unë, në audiencë, kanë qenë 13 delegacione të ndryshme nga bota, 5 delegacione parlamentarësh nga bota, 14 asociacione e individë që lidhen me punën e Parlamentit ose që ndihmojnë në mënyra të ndryshme Parlamentin e Kosovës. Takimet e mia me Presidentin e Kosovës dhe me Kryeministrin e Kosovës janë takime me karakter pune. Kam pasur edhe 7 takime me ministra të Qeverisë së Kosovës.

Me zyrtarët më të lartë të UNMIK-ut kam pasur 8 takime, me zyrtarë të lartë të KFOR-it kam pasur 2 takime, me zyrtarë të lartë të OSBE-së “ 11 takime.
Kam pritur 2 herë zyrtarë të lartë të Policisë së UNMIK-ut, 1 herë zyrtarë të lartë të TMK-së dhe 1 herë zyrtarë të lartë të SHPK-së. Nga 13 marsi 2006 e deri më sot kam aplikuar edhe programin Afri me qytetarët dhe në këtë periudhë kam pasur 40 takime me delegacione nivelesh të ndryshme nga Kosova. Jam takuar edhe me 63 individë.
Kam pritur edhe 8 delegacione të partive të ndryshme nga Kosova dhe jashtë saj.

Në këtë periudhë kam pasur edhe takime të rregullta me përfaqësuesit e NDI-së, të USAID-it, të Paktit të Stabilitetit e të asociacioneve të tjera që ndërlidhen me punën e Kuvendit të Kosovës.

Pa llogaritur prononcimet e mia ad-hoc para medieve të shkruara e elektronike, nga 13 marsi 2006 e deri më sot, unë kam dhënë 13 intervista për mediet e shkruara e elektronike.

VIZITAT JASHTË VENDIT:

Në periudhën nga 13 marsi 2006 e deri më sot kam realizuar dy vizita zyrtare jashtë vendit: njërën në Shqipëri dhe tjetrën në Amerikë, dhe kam marrë pjesë në një konferencë për pakicat në Selanik të Greqisë dhe në varrimin e ish-kryeparlamentarit të Shqipërisë, Pjetër Arbnori.

I. Vizita në Shqipëri

Në fillim të mandatit tim si kryetar i Kuvendit të Kosovës kam deklaruar se vizita e parë që do të bëj si kryeparlamentar do të jetë në Shqipëri dhe kësaj edhe iu përmbajta. Kjo vizitë në Shqipëri u realizua më 7, 8 dhe 9 prill 2006 dhe atje shkova bashkë me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës: Sabri Hamiti, Xhavit Haliti, Ramë Buja, Naim Maloku dhe Gazmend Muhaxheri, të shoqëruar nga shefi i Misionit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Bujar Muharremi, i ftuar nga kryeparlamentarja e Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli. Patëm takime vëllazërore me zonjën Jozefina Topalli, me kryeministrin Sali Berisha, me ministrin e Jashtëm Besnik Mustafaj dhe me përfaqësuesit e partive opozitare: Petro Koçi, Skënder Gjinushi, Sabit Brokaj dhe Pirro Lutaj, me të cilët këmbyem mendime dhe përvoja parlamentare. Gjithashtu ishim mysafirë edhe të Bashkisë së Durrësit. Vizituam Muzeun e Durrësit, si dhe patëm një drekë pune me deputetët e zonës së Durrësit dhe të Kavajës në Kuvendin e Shqipërisë.
Duhet thënë edhe këtë se delegacioni i Kuvendit të Kosovës u prit dhe u përcoll me nderimet më larta ceremoniale nga protokolli i shtetit shqiptar.

II. Vizita në Amerikë

Me bashkëpunëtorët e mi të ngushtë: Ramë Manaj, But Dedaj e Behxhet Haliti, nga 14 maji e deri më 20 maj 2006 ishim për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
¢ Në Aeroportin Xhon Kenedi në Nju-Jork na pritën veprimtarë shqiptarë.
¢ Jemi pritur në Nju-Jork nga Frenk Uizner, i dërguar i posaçëm i SHBA-ve në procesin negociator për Kosovën. Frenk Uizner shtroi një drekë pune dhe ky takim me të zgjati mbi 2 orë.
¢ U takuam me komunitetin shqiptar të Nju-Jorkut me rrethe. Të pranishëm në sallë ishin mbi 200 veta. U shtruan shumë pyetje dhe u dhanë përgjigje në to.
¢ U takuam me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Nju-Jork. Takimin e udhëhoqi Riçard Llukaj, kryetar i KKSHA-së, ndërsa të pranishëm ishin edhe anëtarët e tjerë të KKSHA-së: Avni Mustafa, Altin Aliahmeti, Llu Fundos, Musa Dakaj dhe Halil Mula.
¢ Në State Departmentin Amerikan në Uashington u pritëm nga zëvendësndihmësja e sekretares në Departamentin e Shtetit për çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Rozmari Di Karlo.
¢ Po në State Departmentin Amerikan u pritëm edhe nga Bertram Braun, drejtor për Evropën Juglindore në Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve.
¢ U takuam edhe me zonjën Laurie Dundon, shefe e Zyrës së zonjës Medlin Ollbrajt dhe me zotin Xhejms O™Brajen, po nga Zyra e zonjës Ollbrajt.
¢ Morëm pjesë në një tryezë të rrumbullakët, të organizuar nga Departamenti i Shtetit, moderator i të cilës ishte Çarlls English, drejtor i Zyrës për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore, e në të cilën morën pjesë dhe shtruan pyetje 10 përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të Departmentit të Shtetit.
¢ Në Kabinetin e senatorit Xhozef Bajden, në Uashington, u pritëm nga Tomicah Tilleman, anëtar i Stafit Profesional.
¢ Në Institutin Nacional-Demokratik (NDI) u pritëm nga Robert Benxhamin, drejtor rajonal për Evropën Qendrore dhe Juglindore dhe nga Katherine Messina, zëvendëse e tij.
¢ Kemi pasur takim të ngrohtë miqësor me kongresistin Eliot Engëll.
¢ Jemi takuar dhe kemi shkëmbyer mendime edhe me Morton Abramoviçin, dikur ambasador i SHBA-ve dhe njohës i mirë i rrethanave në rajonin tonë.
¢ Në aeroportin e Detroitit na kanë pritur veprimtarë të shumtë shqiptarë.
¢ Kemi mbajtur takim me komunitetin shqiptar të Detroitit dhe në këtë tubim kanë marrë pjesë mbi 250 veprimtarë, të cilët edhe kanë shtruar shumë pyetje.
¢ Kemi vizituar kishën katolike shqiptare Shën Pali të Detroitit dhe jemi takuar me famullitarin e këtij tempulli fetar, don Anton Kqira, si dhe me arqipeshkvin e Tivarit, aktualisht administrator i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Zef Gashi. Kurse, në Kishën e Zonjës Pajtore, po në Detroit, jemi takuar me famullitarin e kësaj kishe, don Ndue Gjergji, dhe me vikarin e Kishës Katolike Shqiptare të Kosovës, don Lush Gjergji.
¢ Kemi vizituar edhe Qendrën Islamike Shqiptare të Detroitit dhe jemi takuar me imamin e kësaj qendre Shauib Gërguri, me bashkëpunëtorë.

III. Pjesëmarrja në konferencën e Selanikut

Më 20 e 21 qershor 2006, me bashkëpunëtorët e mi: Ramë Manaj e Skënder Durmishi, mora pjesë në punimet e Konferencës mbi kornizën ligjore për të drejtat e komuniteteve në Kosovë, e cila u mbajt në Selanik të Greqisë, organizuar nga Qendra Evropiane për Çështje të Pakicave dhe Këshilli Konsultativ në kuadër të Grupit Negociator të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Selanik, ku mbajta fjalën e hapjes në këtë konferencë, zhvillova një takim me anëtarin e kabinetit të Qeverisë së Greqisë, ministrin Jorgos Kalanxis. Ministri Kalanxis është i ngarkuar në dikasterin për Maqedoni dhe Thraki me seli në Selanik. Takimi u mbajt me iniciativën e Qeverisë Greke.

IV. Pjesëmarrja në varrimin e ish-kryeparlamentarit të Shqipërisë, Pjetër Arbnori

Më 10 korrik 2006 kam marrë pjesë në varrimin e ish-kryeparlamentarit të Shqipërisë, Pjetër Arbnori, në Shkodër dhe atje kam qenë me dy anëtarët e Kryesisë: Sabri Hamiti dhe Xhavit Haliti.

Në periudhën e ardhshme, sigurisht pas pushimeve të verës, do të realizoj disa vizita, me anëtarë të Kryesisë së Kuvendit dhe me bashkëpunëtorët e mi, në vende të rajonit dhe në vende të Evropës Perëndimore.