Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Berisha priti kryetarin e BIK-së, Tërnava

18.03.2015
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij, Ahmet Sadria dhe Sabri Bajgora.

Në takim është biseduar për çështje që i preokupojnë qytetarët dhe institucionet e Kosovës në këtë fazë të përcaktimit të statusit të Kosovës. Në këtë vështrim zotëri Tërnava ka mbështetur punën e institucioneve të Kosovës, sidomos legjislativin, në rrugën e zgjidhjes së statusit të vendit.

Kryeparlamentari Berisha, duke e vlerësuar mbështetjen e Bashkësisë Islame të Kosovës për rrugën drejt pavarësisë, ka theksuar rëndësinë që i jep ai thellimit të demokracisë dhe debatit të mirëfilltë në Kuvend.

Kreu i legjislativit të vendit ka vlerësuar unitetin e kënaqshëm dhe sensin e lartë të përgjegjësisë para historisë që manifestojnë bartësit e institucioneve dhe të subjekteve të tjera në Kosovë.

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka shtruar kërkesën që të parashihet mbështetje buxhetore për bashkësitë fetare. Ai ndërkaq ka ngritur edhe shqetësimin për parapagimin e detyrueshëm të xhamive të Kosovës për parapagim të RTK-së. Megjithëse xhamitë nuk kanë televizorë, ka theksuar Tërnava, në emër të këtij parapagimi BIK-ja detyrohet të paguaj mbi 24 mijë euro në vit.

Berisha ka pikasur tolerancën e lakmueshme ndërfetare në Kosovë, ndërkaq e ka parë shumë të rëndësishme bashkëpunimin e përhershëm me bashkësitë fetare në Kosovë dhe ka pohuar se dyert e Kuvendit për herë do të jenë të hapura për përfaqësuesit e tyre.