Qindra qytetarë të Kosovës i janë përgjigjur sot thirrjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të vizituar ambientet e institucionit legjislativ të vendit dhe për t'u bashkangjitur në aktivitetet e organizuara me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë. Filloristë, nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë të tjerë, janë njohur nga afër me ambientet e punës së deputetëve, ndërsa grupe prej tyre janë pritur edhe nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli. Në ceremoninë e hapjes së kësaj dite, kryeprlamentari Veseli tha se demokracia përbën modelin më të mirë të qeverisjes në historinë politike të njerëzimit, ngase arrin të sigurojë një qeverisje e cila nuk e cenon vlerën më të lartë të individit dhe të shoqërive - lirinë. "Ne besojmë në këtë ide, prandaj kemi zgjedhur që të jemi pjesë e botës demokratike, sinonim i të cilës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Aleanca Veri-atlantike dhe Bashkimi Evropian. Kuvendi i Kosovës, tanimë, ka krijuar një traditë shumë të mirë të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë. Kjo ditë merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e shoqërive e shteteve me demokraci të re, siç është vetë shoqëria kosovare", theksoi Veseli. Deputeti Zenun Pajaziti, kryetar i Forumit për Transparencë Parlamentare, tha se Kosova ka shënuar progres në transparencë. "Sot është një rast i mirë për ne si deputetë. Ky forum ka arritur që viteve të fundit ta zgjedhë Kosovën si ndër vendet më transparente. Kuvendi është një nga institucionet më transparente në vend edhe më gjerë", theksoi Pajaziti. Anëtarja tjetër e forumit, deputetja Shqipe Pantina, prezantoi Platformën me profilet e deputetëve në ueb-faqen e Kuvendit dhe faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook. Shënimi i Ditës së Demokracisë vazhdoi me tryezën e diskutimit të organizuar nga Grupi i Grave Deputete dhe NDI-ja, me temën "Demokracia në udhëkryq: si të ç'rrënjoset pabarazia gjinore në vendimmarrje". Njëkohësisht, u mbajt Panairi i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe u zhvilluan aktivitete të tjera, si: Kuizi i Demokracisë, sesioni i pikturës me artistët e rinj, me temën "Demokracia", aktivitete mësimore përmes lojërave (DEMOS-TI) etj. Në mjediset e Kuvendit, nën organizimin e KDI-së, u mbajt debat publik me deputetë dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O'Connell.