Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga konferenca vjetore e Forumit për Transparencë Parlamentare me shoqërinë civile

15.09.2019

Forumi për Transparencë Parlamentare i Kuvendit të Republikës së Kosovës, së bashku me partnerët e shoqërisë civile, mbajti sot konferencën vjetore, në të cilën u diskutua lidhur me integrimin dhe liberalizimin e vizave. Përfaqësuesi i Forumit dhe drejtues i kësaj konference, Zenun Pajaziti, në fjalën e tij hyrëse falënderoi të gjitha organizatat e shoqërisë civile dhe ato partnere, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre, duke kontribuar që Kuvendi secilën herë të jetë më i hapur dhe transparent. DritonSelamanaj, panelist i kësaj konference, prezantoi një historik të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai theksoi se në momentin e heqjes së regjimit të vizave, të drejtën për të udhëtuar do ta kenë të gjithë qytetarët e Kosovës, proces ky, i cili, sipas tij, do të kursente kohë, para etj. Çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, Selmanaj e vlerësoi problem politik, e jo problem të BE-së. Ai tutje theksoi se mospajtimet e skajshme dhe të thella ndërmjet pushtetit dhe opozitës, bënë që vendi ynë të mbetet pa liberalizim të vizave. Po ashtu, Selmanaj e cilësoi paaftësi të politikaneve mos liberalizimin e vizave, gjë të cilën sipas tij, më së shumti janë duke e pësuar qytetarët e Kosovës. Albana Merja, përfaqësuese nga shoqëria civile (Grupi për Studime Juridike), njëherësh edhe paneliste, prezantoi shkurtimisht proceset dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar Kosova në rrugëtimin dhe përpjekjet e saj drejt liberalizimit të vizave. Ajo vlerësoi se Kosova duhet të reflektojë më shumë nga brenda, duke plotësuar kriteret e parapara. Teuta Haxhiu, anëtare e këtij forumi, pohoi se sikur Kosova t'i kryente dhe merrte përgjegjësit shtetërore, ajo do të kishte liberalizim të vizave në një periudhë të shpejtë. Haxhiu kërkoi nga të gjithë akterët që të kryejnë punët me përgjegjësi, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për liberalizmin të vizave. Deputeti Milaim Zeka kërkoi përgjegjësi më të madhe të ligjvënësve në punën e tyre dhe kundruall obligimeve që ata kanë para qytetarëve. Përfaqësues të shoqërisë civile dhanë opinionet dhe rekomandimet e tyre lidhur me temën e kësaj konference.