Komisioni për Buxhet dhe Transfere, me kërkesë të nënkryetarit të parë të Komisionit, Gazmend Abrashi, ka mbajtur mbledhje online, në të cilën është diskutuar rreth Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.
Nënkryetari Abrashi, i cili edhe e ka udhëhequr këtë mbledhje, e ka arsyetuar rëndësinë e mbajtjes së saj, duke thënë se dërgimi në seancë plenare i këtij projektligji është i rëndësishëm për qytetarët në këtë kohë pandemie.
Pas votimit për shmangie nga rregullorja, para anëtarëve të Komisionit, projektligjin e ka prezantuar ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami.
Sipas saj, qëllimi i Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike – COVID 19, nëpërmjet të cilit bëhet plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, është rimëkëmbja e ekonomisë së Republikës së Kosovës, pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19.
Ligji për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Ligji për Fondet Pensionale të Kosovës, Ligji për Tatimin në të Ardhurat Personale, Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat, si dhe Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, janë ligjet të cilët pritet të ndryshohen nëpërmjet këtij projektligji.
Sipas ministres Bajrami, me ndryshimet e iniciuara nga Ministria e Financave është paraparë që Fondi Kosovar për Garanci Kreditore të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës deri në 80 për qind, të bëhet tërheqja e 10 për qind të kursimeve pensionale, aplikimi i normës së reduktuar të TVSH-së në 8 % edhe për furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimet e ushqimit, lejimi që mjetet e AKP-së të mund të përdoren për të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të realizimit të rimëkëmbjes ekonomike, të bëhet shtyrja e afatit të pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Po ashtu parashihet që për mospagesën e deklaratës tatimore të ndikuar për shkak të pandemisë për vitin 2020 dhe 2021, të mos shqiptohet ndonjë ndëshkim.
Pas prezantimit të ministres Bajrami, u hap diskutimi rreth Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike Covid-19. Anëtarë të komisionit dhanë mendime të ndryshme lidhur me përmbajtjen e projektligjit dhe efektet që mund të japë ai në situatën aktuale.
Në fund Komisioni për Buxhet dhe Transfere miratoi në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19, duke i rekomanduar Kuvendit shqyrtimin e tij në të dy leximet në seancën e 7 gushtit, duke e renditur si pikë të parë.