Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni Politik i AP të Frankofonisë mbështet kandidaturën e Kuvendit të Kosovës për avancim statusi në kuadër të kësaj asambleje

15.05.2022

Komisioni Politik i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, mbledhur në Kebek më 14 dhe 15 maj 2022, ka lëshuar sot opinion të favorshëm për pranueshmërinë e kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke e mbështetur kandidaturën e Kuvendit të Kosovës për avancim statusi nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë.  

Në këtë takim Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës u përfaqësua nga deputetët Dimal Basha, Kryesues i Delegacionit të përhershëm në AP të Frankofonisë dhe Fridon Lala, anëtar.

Gjatë takimit deputeti Dimal Basha, njëherësh udhëheqës i Delegacionit, mbajti një fjalim dhe iu përgjigj pyetjeve e adresuara nga Kryetari i Komisionit Politik të APF-së dhe anëtarët e tjerë lidhur me dosjen.

Pas përgjigjeve nga deputeti Basha, opinioni në favor të kërkesës së Kuvendit të Kosovës është votuar me konsensus nga anëtarët e Komisionit Politik të AP të Frankofonisë, të pranishëm në këtë takim.

Opinioni i është dërguar Asamblesë së Përgjithshme për vendimin përfundimtar, në takimin e radhës që pritet të mbahet më 5 korrik 2022, në Rwanda.

Pas miratimit, deputeti Basha në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Kosovës në APF, falënderoi anëtarët e Komisionit Politik të AP së Frankofonisë për votimin njëzëri dhe opinionin pozitiv, për ngritjen e statusit nga anëtar vëzhgues në anëtar të asocuar.