Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim aktivistë të disa organizatave të shoqërisë civile nga Serbia dhe të Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan (BPRG).
Me këtë rast u theksua roli dhe misioni i shoqërisë civile në mbikëqyrjen e politikave publike, përmirësimin qeverisjes dhe përforcimin e kulturës së përgjithshme demokratike.
Po ashtu u nënvizua rëndësia e organizatave të shoqërisë civile në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes vendeve në rajon e më gjerë përmes projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme.
Republika e Kosovës, tha kryetari Konjufca, tashmë ka konsoliduar një shoqëri civile të pavarur dhe në shërbim të komunitetit.
Sipas tij ky është një indikator i fuqishëm i demokratizimit të shtetit të Kosovës.
Në këtë kontekst, ai theksoi se shteti i Kosovës është shembull jo vetëm në rajon i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të komuniteteve.
Ndërkaq, shtoi se Kuvendi mbetet i hapur për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, si dhe i përkushtuar në përkrahjen e iniciativave të përbashkëta.
Në takim mori pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.