Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Glauk Konjufca: Veprime të pareshtura për parandalimin e dhunës kundër grave

25.11.2021

Në kuadër të 25 Nëntorit - Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, është hapur fushata "16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila do të zgjasë deri më 10 dhjetor 2021.

Me këtë rast, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur shalla, shamia dhe simbole të tjera ngjyrë portokalli në mbështetje të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur se, sikur viteve të mëparme, edhe këtë vit fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe ngritjen e zërit kundër dhunës në baza gjinore në vendin tonë. Duke e cilësuar si dhunë kundër shoqërisë në tërësi, kryetari Konjufca bëri thirrje për solidarizim të vazhdueshëm dhe përpjekje e veprime të pareshtura për parandalimin e dhunës kundër grave, si dhe  ruajtjen dhe mbrojtjen e dinjitetit të tyre.

Gjatë kësaj fushate, institucionet publike dhe organizatat e pavarura vendore e ndërkombëtare do të zhvillojnë aktivitete të nduarnduarta sensibilizuese në mbarë vendin tonë.