Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

12.10.2021

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga Hykmete Bajrami, kryetare, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën u shqyrtua raporti i auditimit për PVF-të e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për vitin 2020.

Për të diskutuar në lidhje me të gjeturat dhe rekomandimet e këtij raporti, të ftuar ishin përfaqësues nga Zyra e Auditorit si dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Deputetja Mirlinda Sadiku, në cilësinë e deputetit raportues, para anëtarëve të Komisionit shpalosi të gjeturat në formë përmbledhëse.

“Ky raport ka opinion të kualifikuar dhe gjithsej numëron 12 rekomandime, që nëse e krahasojmë me atë të vitit të kaluar, shohim që ka përmirësim. Por, prapë se prapë të gjeturat nga ZKA-ja janë shqetësuese”, theksoi Sadiku.

Në mungesë të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtarët e komisionit pasi dhanë komentet e tyre referuar raportit në fjalë, u dakorduan që rekomandimet t’i përcjellin gjatë kësaj jave, në mënyrë që i njëjti të procedohet për diskutim në seancë plenare.