Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal

21.07.2021

Sot, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Doarsa Kica-Xhelili, kryetare, mbajti mbledhjen e radhës, duke proceduar me pikat e parapara për këtë mbledhje.

Në këtë mbledhje, të ftuar për raportim ishin Ilir Berisha dhe Ibrahim Rrustemi, përfaqësues të Agjencisë Statistikore të Kosovës, të cilët para anëtarëve të komisionit prezantuan punën e kësaj Agjencie për vitin 2020.

Ilir Berisha, kryeshef i kësaj Agjencie, theksoi se në mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, aktivitetet të cilat kanë qenë të planifikuara të zhvillohen për vitin 2020, nuk kanë arritur të realizohen plotësisht.

Tutje, si rrjedhojë e pyetjeve të anëtarëve të komisionit, ata identifikuan një sërë parregullsish, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me punësimin, nepotizmin, konfidencialitetin e të dhënave të qytetarëve etj. 

Mbledhja u përmbyll me hedhjen në votim të raportit të ASK-së për vitin 2020, raport i cili nuk mori mbështetjen e anëtarëve të komisionit, dhe si i tillë nuk u miratua.