Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal

28.09.2021

Nën udhëheqjen e kryetares Doarsa Kica – Xhelili, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal mbajti sot mbledhjen e rregullt. 

Në këtë mbledhje, anëtarët e komisionit shqyrtuan në parim Projektligjin nr.08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. 

Projektligji është iniciativë e deputetit Fridan Lala dhe deputetëve nënshkrues, nëpërmjet të cilit propozohet plotësim-ndryshimi i ligjit aktual për festat zyrtare, duke përfshirë edhe Ditën memoriale të komunitetit egjiptian.  

Deputetët e konsideruan të drejtë dhe të nevojshëm propozimin e deputetit Lala, ngase, siç u tha, ky është i vetmi komunitet i cili nuk ka një ditë zyrtare të veçantë. 

Iniciativa mori përkrahjen e gjithë deputetëve të pranishëm dhe si e tillë u votua në njëzëri. Si rrjedhojë, projektligji pritet të procedohet tutje në seancë.