Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

09.06.2021

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja mbajti sot mbledhjen e radhës në të cilën vazhdoi shqyrtimi i raportit vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020, pikë kjo që kishte mbetur nga mbledhja e kaluar, pas kërkesës nga ana e deputetëve për disa sqarime nga ana e Auditorit të Përgjithshëm Besnik Osmani.

Auditori Osmani dha sqarimet e kërkuara nga ana e deputetëve, ndërkohë që edhe deputetët patën pyetje shtesë në lidhje me detyrat dhe obligimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Pas diskutimeve, raporti vjetor financiar i ZKA-së u votua më shumicën e votave të anëtarëve të Komisionit dhe i njëjti i dërgohet Kuendit për votim.

Mbledhja vijoi me raportimin e ministrit për Financa, Punë dhe Transfere Hekuran Murati dhe përfaqësuesve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës lidhur me regjistrimin e popullsisë.

Ministri Murati sqaroi se regjistrimi i popullsisë është paraparë që të mbahet këtë vit, por për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë, ky process është shtyrë për pranverën e vitit të ardhshëm.

Në lidhje me përgatitjet për procesin e regjistrimit të popullsisë, sqarime para deputetëve ka dhënë kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës Ilir Berisha.

Kryeshefi Berisha po ashtu u është përgjigjur interesimit të deputetëve në lidhje me regjistrimin e popullsisë në pjesë të ndryshme të Kosovës, me theks të veçantë në veri, si dhe për shumë çështje tjera që kanë të bëjnë me këtë proces.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrtoi edhe rishikimin e Buxhetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, të cilin e paraqiti sekretari Ismet Krasniqi.

Pas prezantimit nga ana e Krasniqit, rishikimi i Buxhetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2021 u miratua unanimisht nga anëtarët e Komisionit dhe i njëjti dërgohet në Kryesi të Kuvendit për miratim.