Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim Dhe Zhvillim

06.12.2022
Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, i udhëhequr nga kryetarja Fitore Pacolli-Dalipi, mbajti sot mbledhjen e radhës.
 
Anëtarët e Komisionit shqyrtuan dhe miratuan raportin me amendamente për Projektligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ndërsa u diskutua edhe për prioritetet e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve të cilat bien në fushëveprimtarinë e komisionit. 
 
Në vazhdim të mbledhjes kryetarja e komisionit, Pacolli-Dalipi i njoftoi deputetët lidhur me pjesëmarrjen e saj në COP-27 (Konferenca për Ndryshimet Klimatike).
 
Lidhur me pjesëmarrjen në këtë konferencë, kryetarja vuri në pah se Kosova për herë të parë po merrte pjesë në një konferencë të tillë. Ajo pohoi se në hapësirat e Pavilionit Gjerman në Egjipt është prezantuar agjenda e Republikës së Kosovës, nevojat e shtetit tonë për investime në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike si dhe synimet lidhur me dekarbonizimin. 
 
Tutje, Pacolli-Dalipi shtoi se përderisa Kosova ende nuk ka qasje direkte në fondet multilaterale të OKB-së, qëllimi final i pjesëmarrjes atje ishte që Republika e Kosovës të anëtarësohet në Konventën për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara (UNFCCC), e cila siç theksoi ajo, mundëson qasjen direkte në fonde.
 
Përkitazi me pjesëmarrjen në UNFCCC, kryetarja e komisionit falënderoi Qeverinë gjermane, e cila sipas saj, ka bërë të mundur që Kosova të jetë pjesëmarrëse në këtë Konferencë. Për më tepër, ajo theksoi se janë zhvilluar shumë takime bilaterale lidhur me financimet e mundshme për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe implementimit të marrëveshjes së Parisit.