Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga takimi i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Nicholas Abbott

23.11.2021

Komisioni për Punë të Jashtme dhe  Diasporë, i prirë nga  kryetari Haki Abazi, priti sot në takim, ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Nicholas Abbott, me të cilin u bisedua  lidhur me raportet Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, pas largimit të saj nga BE- ja.  

Në fillim të këtij takimi, kryetari i Komisionit Abazi, pasi falënderoi ambasadorin Abbott dhe shtetin që ai përfaqëson për ndihmën e treguar gjer tani ndaj vendit tonë, po ashtu, e siguroi atë se ky  bashkëpunim do të vijojë ngushtë edhe në të ardhmen. 

Duke biseduar për mundësitë e bashkëpunimit, kryetari i Komisionit Abazi, vuri theksin te mbështetja ekonomike dhe investimet nga Mbretëria e Bashkuar që mund të realizohen në të ardhmen në vendin tonë. 

Ai, po ashtu vlerësoi rëndësinë e Mbretërisë së Bashkuar në proceset që po kalon Kosova, siç është çështja e dialogut me Serbinë dhe liberalizimi i vizave,  për të cilat kryetari i Komisionit Abazi,  kërkoi mbështetje edhe në të ardhmen.  

Ambasadorit Abbott, dhe shtetit të tij, mirënjohje i shprehën edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, Time Kadrijaj dhe Ariana Musliu- Shoshi, të cilat u shprehën të bindura se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen.  

Ambasadori Abbott, ndërkaq, pasi falënderoi anëtarët e komisionit për pritjen, u shpreh:“ Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova, kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme bazuar në themele të forta që nuk do të ndryshojnë”. 

Në vijim, ai foli për rëndësinë e dialogut, luftën kundër korrupsionit, reformimimin e administratës, si dhe atë të gjyqësorit, për të cilat çështje u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë dhe ndihmojë pa u kursyer.