Kuvendi i Republikës së Kosovës

Ceremoni lamtumirëse me rastin e pensionimit të sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi

09.06.2023

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës u organizua sot ceremoni lamtumirëse me rastin e daljes në pension të sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi. 

Në një fjalim përshëndetës ku të pranishëm ishin edhe kryetari Glauk Konjufca, nënkryetari Enver Hoxhaj, deputetë dhe zyrtarë të administratës së Kuvendit, sekretari Krasniqi evokoi kujtime që nga koha e fillimit të punës si sekretar që nga 1 gushti i vitit 2006. 

“Unë si sot e kujtoj ditën e parë të punës në Kuvend. Në secilën ditë pas saj, deri në ditën e sotme, jemi angazhuar bashkërisht, për një Kuvend efektiv dhe efikas. Për një institucon të fortë dhe reprezentativ. Për një administratë profesionale. Në orar e pas orari. Në ditë vikendi e festash. Kështu, dalëngadalë dhe një nga një ikën vitet dhe pensionimi erdhi natyrshëm përmes rrjedhës së vet, duke lënë prapa vetes afër 17 vite shërbim në këtë institucion. Kolegë, miq të dashur, faleminderit për gjithçka që kemi bërë bashke”, tha Krasniqi, duke falënderuar në veçanti të gjithë kryetarët që ka bashkëpunuar, tashmë të ndjerin Kolë Berisha, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca, si dhe kryetarin e parë të Kuvendit, Nexhat Daci. 

Sekretari Krasniqi falënderoi gjithashtu anëtarët e Kryesisë ndër legjislatura, nënkryetarët e Kuvendit, deputetët, përfaqësuesit e organizatave partnere, si NDI, GIZ, OSBE, UNDP etj., si dhe ambasadave të vendeve mike. 

Sekretari Krasniqi po ashtu për bashkëpunim të ngushtë, falënderoi përfaqësuesit e  mediave dhe shoqërisë civile, me të cilët siç tha arritën të ndërtojnë raporte partneriteti. 

Në fund të fjalës së tij Krasniqi,  stafit të administratës së Kuvendit u dëshiroi  suksese në, punë shëndet dhe mbarësi në jetë me urimin që “ky ekip të mbetet gjithmonë i tillë, i fortë dhe unik. Do t'ju kujtoj të gjithëve, me ngrohtësi dhe dashamirësi”.

Në emër të stafit të administratës, një fjalë rasti mbajti drejtori i Drejtorisë për Çështje Ligjore dhe Procedurale, Xheladin Hoxha, i cili falënderoi sekretarin Krasniqi për punën dhe angazhimin e tij shumëvjeçar në krye të administratë së Kuvendit. 

Po sot sekretari Krasniqi zhvilloi një takim përshëndetës edhe me stafin drejtues të administratës së Kuvendit dhe stafin e zyrës së Sekretarit.