Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vizita e delegacionit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione në Shqipëri

17.03.2023

Një delegacion i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, në përbërje Albana Bytyqi, nënkryetare e komisionit, Drita Millaku, Nasuf Bejta dhe Eliza Hoxha, anëtarë, realizuan vizitë pune në institucionin e Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi në Republikën e Shqipërisë, ku u pritën nga komisioneri Robert Gajda me bashkëpuntorë. 

Qëllimi i kësaj vizite ishte që anëtarët e komisionit të njoftohen lidhur me praktikat e funksionimit të këtij institucioni, dhe mundësinë që edhe në Kosovë në të ardhmen të krijohet një institucion i tillë, për të kontribuar në rritjen e efikasitetit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. 

Komisioneri Gajda, mirëpriti anëtarët e komisionit dhe i njoftoi ata lidhur me funksionimin dhe punën e institucionit që ai udhëheq.  

Ai theksoi se në Shqipëri që nga viti 2010, për herë të parë është formuar ky institucion, i cili është organ i pavarur individual i zgjedhur nga Kuvendi.

Po ashtu, Gajda i njoftoi anëtarët e delegacionit se themelimi i këtij institucioni është i bazuar në direktivat e Bashkimit Evropian, dhe se një institucion i tillë ekziston edhe në disa vende të rajonit.

Në këtë kontekst, Gajda foli në detaje edhe lidhur me funksionimin, përgjegjësitë dhe kompetencat e këtij institucioni, përfshirë edhe trajtimin e ankesave. 

Në vazhdim, anëtarët e komisionit funksional u interesuan lidhur me shumë aspekte të punës dhe aktiviteteve të këtij institucioni, nga fusha të ndryshme që i mbulon.

Komisioneri Gajda dha sqarime në detaje lidhur me pyetjet e anëtarëve të komisionit.

Në fund, anëtarët e delegacionit vizituan hapësirat e punës së këtij institucioni.